Edhe pse versioni i video-lojës Forza Horizon 6 për konsolën Play Station 5 pritet të publikohet, sipas informacioneve të reja ai mund të mos mbërrijë në konsolën e gjeneratës aktuale të Sonyt deri në fillim të vitit 2027.
Versioni për PS5 u njoftua për herë të parë gjatë prezantimit Xbox Developer Direct në janar 2026, kur Microsoft konfirmoi se loja do të ishte ekskluzive për Xbox Series X/S dhe PC për një periudhë të caktuar.
Pavarësisht se fillimisht ishte ekskluzive për PC dhe konsolat Xbox, Forza Horizon 6 mori vlerësime shumë pozitive pas publikimit në maj. Kritikët vlerësuan grafikën dhe mekanikën e drejtimit. Video-loja aktualisht ka vlerësimin 91 në OpenCritic dhe 99 për qind rekomandime nga kritikët.
Xbox kishte konfirmuar më herët se Forza Horizon 6 do të publikohej për PS5 gjatë vitit 2026, por informacionet e fundit sugjerojnë se versioni për këtë konsolë mund të jetë shtyrë.
Sipas një raporti të informatorit të njohur si billbil-kun në portalin Dealabs, loja për PS5 pritet të publikohet më 26 janar 2027. Ky informacion përputhet me një raportim të mëparshëm të Tom Warren nga The Verge, i cili kishte thënë se versioni për PS5 mund të shtyhej për vitin 2027.
Sipas Warrenit, shtyrja mund të lidhet me dëshirën për ta përputhur publikimin me një zgjerim të mundshëm të lojës, në prag të përvjetorit të parë të saj në maj 2027.
Megjithatë, data e publikimit duhet marrë me rezervë, pasi ende nuk është konfirmuar zyrtarisht. Billbil-kun ka thënë gjithashtu se versioni për PS5 do të ketë edhe edicion fizik, me të gjithë lojën të vendosur në disk.
Aktualisht nuk dihet nëse Playground Games do t’u ofrojë përdoruesve të PS5 përfitime të tjera, si qasje të hershme në lojë apo paketën Premium Edition.
Nëse data e janarit konfirmohet, Forza Horizon 6 do t’i bashkohet listës së lojërave që pritet të publikohen për PS5 në fillim të vitit 2027. /Telegrafi/