Një teknikë psikologjike e thjeshtë i jep fëmijës ndjenjën e kontrollit dhe e bën më bashkëpunues
Të gjithë fëmijët ndonjëherë dalin jashtë kontrollit, ndërsa prindërit shpesh vërejnë se insistimi në autoritet dhe urdhra vetëm e përkeqëson situatën. Sa më shumë që i shtypin, aq më i fortë bëhet rezistimi i tyre. Një studim i kryer me afro 1.500 adoleshentë ka treguar se kontrolli i tepruar nga ana e prindërve nxit te fëmijët motivimin për të bërë pikërisht të kundërtën e asaj që u kërkohet, sepse ndihen të kërcënuar në nevojën e tyre për liri dhe autonomi, shkruan YourTango.
Truku psikologjik për të shmangur grindjen rreth detyrave
Kur fëmija juaj kundërshton një detyrë, siç është shkrimi i detyrës së shtëpisë, provoni një teknikë të thjeshtë psikologjike. Ndoshta e keni dëgjuar shembullin klasik kur mjeku e pyet fëmijën nëse dëshiron të marrë një apo dy injeksione. Fëmija pothuajse gjithmonë zgjedh një. Qëllimi kryesor i kësaj qasjeje është të zvogëlojë rezistencën ndaj vetë detyrës.
Pyetja e mjekut në fakt ofron një zgjedhje të rreme. Një injeksion apo dy? Vëmendja e fëmijës zhvendoset te marrja e vendimit në vend se te frika nga gjilpëra. Në të njëjtën kohë, fëmija fiton ndjesinë e kontrollit, sepse vendimin e ka marrë vetë. Për më tepër, duke zgjedhur vetëm një injeksion në vend të dyve, ai ndjen sikur ka marrë një “lehtësim”. Kjo është një metodë e shpërqendrimit që e largon fëmijën nga problemi kryesor dhe njëkohësisht e përfshin me dëshirë në zgjidhjen e tij, transmeton Telegrafi.
Si të aplikoni zgjedhjen e rreme
Këtë teknikë mund ta përdorni në situata të ndryshme, duke i ofruar fëmijës zgjedhje mes një opsioni më të vështirë dhe një më të lehtë. Askush nuk zgjedh opsionin më të vështirë, ndërsa qëllimi është që fëmija të pranojë atë më të lehtin, që në fakt është ajo që keni dashur të arrini.
• “Dëshiron ta bësh detyrën për gjithë javën apo të përqendrohesh vetëm te ajo për nesër?”
• “Dëshiron sonte ta lexosh të gjithë kapitullin apo vetëm pesë faqet e para?”
• “Dëshiron ta shkruash sot të gjithë esenë apo vetëm të bësh një skicë?”
Kjo metodë funksionon më së miri te fëmijët më të vegjël, të cilët janë disi më të lehtë për t’u “orientuar”. Nëse ndodh që fëmija të zgjedhë opsionin e parë, më të vështirë, pranojeni, edhe pse një përfundim i tillë është shumë pak i mundshëm.
Çfarë me fëmijët më të rritur
Kur fëmijët rriten, ofrojuni zgjedhje reale mes opsioneve që për ju janë njësoj të pranueshme. Për shembull:
• “Duhet t’i kryejmë punët e shtëpisë para se të vijnë mysafirët. Dëshiron të rregullosh dhomën tënde apo të lash enët?”
• “Sonte duhet të përgatitesh për një provim të rëndësishëm. Dëshiron të ushtrosh matematikë apo lexim me kuptim?”
• “Dëshiron ta shkruash esenë në kompjuter apo fillimisht me dorë?”
Ndjenja e kontrollit është çelësi i motivimit
Të dyja strategjitë u japin fëmijëve ndjesinë e kontrollit, duke u ofruar njëkohësisht një gamë të kufizuar dhe të pranueshme zgjedhjesh. Një përmbledhje e 36 studimeve e publikuar në revistën Educational Psychology Review ka zbuluar se, kur prindërit mbështesin ndjenjën e autonomisë te fëmijët, ata tregojnë më shumë motivim, përfshirje dhe arrijnë rezultate më të mira akademike. Në vend që t’u jepni urdhra, ofrojuni zgjedhje.
Fëmijët më të rritur mund edhe ta kuptojnë se çfarë po përpiqeni të bëni, por teknika vazhdon të funksionojë, sepse dhënia e zgjedhjes u mundëson të shmangin detyrën që u pëlqen më pak, gjë që sërish është në dobinë e tyre. /Telegrafi/