Inspektorët e Komunës së Gjilanit kanë shqiptuar gjobë për një subjekt afarist, pas ankesave të qytetarëve, për shkak se kamionët e kompanisë kanë ndotur rrugët duke bartur baltë.
Drejtoria e Inspekcionit njofton se veprimet u ndërmorën menjëherë pas pranimit të ankesave dhe kanë për qëllim mbrojtjen e mjedisit dhe mirëmbajtjen e hapësirave publike.
“Ftojmë të gjithë shoferët dhe operatorët që të respektojnë detyrimet ligjore dhe të tregojnë kujdes të shtuar në ruajtjen e mjedisit dhe pastërtisë publike.
Rrugët dhe hapësirat publike janë pasuri e përbashkët dhe mirëmbajtja e tyre është përgjegjësi e secilit prej nesh”, deklarojnë inspektorët e Komunës së Gjilanit.
Drejtorati për Inspekcion njofton se inspektorët do të vazhdojnë monitorimin në terren dhe shqipton gjoba ndaj të gjithë subjekteve që ndotin mjedisin, duke garantuar zbatimin e ligjit dhe sigurinë e qytetarëve. /Telegrafi/