Me rastin e 31 Majit – Ditës Botërore Kundër Duhanit, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, si dhe komunat, organizon një aktivitet kreativ me nxënës, nën moton: “Të rinjtë për një Kosovë pa duhan”.
Nxënësit e klasave 6–9 nga të gjitha shkollat e Kosovës do të kenë mundësinë të përcjellin mesazhe kundër duhanit “përmes krijimeve artistike, video-animacioneve, vizatimeve dhe formave të tjera kreative”.
Punimet më të mira do të përzgjidhen fillimisht në nivel komunal dhe më pas do të prezantohen në aktivitetin qendror të Ditës Botërore Kundër Duhanit më 29 maj në Prishtinë, në prani të ekspertëve të shëndetit publik, përfaqësuesve institucionalë dhe publikut.
Organizatorët shpjeguan se pjesëmarrësit kanë pranuar Rregulloren e organizimit të garës ku përcaktohen procedurat e zhvillimit të saj, tematika, pjesëmarrësit, kriteret e vlerësimit dhe çmimet për fituesit.
Ky aktivitet ka për qëllim “të rrisë njohuritë dhe ndërgjegjësimin e nxënësve për dëmet e nikotinës dhe produkteve të duhanit, me theks të veçantë te cigaret elektronike, si dhe t’i inkurajojë ata të bëhen promotorë të shëndetit dhe të qëndrimeve kundër duhanit”. /Telegrafi/