Virusi i Nilit Perëndimor është një sëmundje infektive që përhapet kryesisht përmes pickimit nga mushkonja të infektuara dhe mund të shkaktojë nga simptoma të lehta deri te komplikime të rënda neurologjike.
Shtatë raste të Etheve të Nilit Perëndimor janë konfirmuar në Kosovë nga 7 deri më 21 gusht 2026, ndërsa dy prej tyre kanë përfunduar me vdekje. Rastet janë konfirmuar në Gjakovë, Shtime, Ferizaj, Prishtinë dhe Pejë.
IKSHPK thotë se vetëm njëri nga shtatë rastet ka pasur histori udhëtimi jashtë Kosovës me ekspozim ndaj pickimeve të mushkonjave, duke theksuar mundësinë e ekspozimit lokal dhe infektimit në vend. Instituti sqaron se rastet konsiderohen sporadike, pasi nuk është evidentuar lidhje e drejtpërdrejtë epidemiologjike ndërmjet tyre, ndërsa thekson se virusi lidhet me aktivitetin sezonal të mushkonjave, veçanërisht gjatë muajve gusht dhe shtator.
Në këtë intervistë për Telegrafin, IKSHPK-ja shpjegon se si transmetohet virusi i Nilit Perëndimor, cilat janë simptomat më të zakonshme dhe shenjat që mund të tregojnë një formë më të rëndë të sëmundjes, si dhe kur qytetarët duhet të kërkojnë ndihmë mjekësore. Instituti flet gjithashtu për mënyrën e diagnostikimit, trajtimin e pacientëve dhe masat që qytetarët duhet të ndërmarrin për t’u mbrojtur nga pickimet e mushkonjave
Telegrafi: Çfarë sëmundje janë Ethet e Nilit Perëndimor?
IKSHPK: Ethet e Nilit Perëndimor (ËNV) janë një sëmundje virale që shkaktohet nga virusi i Nilit Perëndimor; emri i së cilës rrjedh nga dega e Nilit Perëndimor në Ugandë, për herë të parë është diagnostikuar në 1937. Nga Uganda pastaj ka pasur një shtrirje globale ndër vite.
Telegrafi: Si transmetohet virusi te njerëzit dhe a transmetohet ndërmjet njerëzve?
IKSHPK: Virusi i Nilit Perëndimor transmetohet përmes pickimit/kafshimit të mushkonjave. Rruga kryesore e infeksionit është kafshimi i mushkonjës. Rastet e transmetimit nga njeriu në njeri janë shumë të rralla , pra nuk transmetohet me kontakt të zakonshëm person-person.
Telegrafi: Sa zgjat periudha e inkubacionit pas pickimit nga një mushkonjë e infektuar?
IKSHPK: Periudha e inkubacionit për ethet e Nilit Perëndimor varion nga 2 deri në 6 ditë, por mund të zgjas edhe nga 2-14 ditë. Te personat me imunitet të dobësuar, inkubacioni mund të jetë edhe më i gjatë, deri në disa javë. Për vlerësim epidemiologjik, zakonisht merret si periudhë relevante deri në 14 ditë nga pickimi i mushkonjës së infektuar.
Telegrafi: Cilat janë simptomat më të zakonshme dhe cilat janë shenjat që tregojnë një formë më të rëndë të sëmundjes?
IKSHPK: Simptomat më të zakonshme janë: Ethe, kokëdhembje të forta, dhimbje muskujsh e nyjeve, diarre, lodhje, fotofobi, etj, por që mund të shoqërohet edhe me simptoma që tregojnë forma më të rënda të sëmundjes si: konfuzion, kriza epileptike, mungesë refleksesh, etj.
Telegrafi: Sa raste të virusit të Nilit Perëndimor janë konfirmuar në Kosovë gjatë vitit 2026 deri tani dhe në cilat komuna apo rajone janë identifikuar rastet e deritanishme?
IKSHPK: Nga data 7 gusht 2026 deri më 21 gusht janë konfirmuar 7 raste të VNP. Dy prej tyre kanë përfunduar me vdekje. Rastet u përkasin komunave: Gjakovë (3), Shtime, Ferizaj, Prishtinë, Pejë.
Telegrafi: Duke pasur parasysh se rasti i raportuar në gusht nuk kishte histori udhëtimi jashtë Kosovës, a tregon kjo për transmetim lokal të virusit?
IKSHPK: Fakti që vetëm njëri nga 7 rastet ka treguar për histori udhëtimi jashtë Kosovës me ekspozim të raportuar ndaj pickimeve të mushkonjave, tregon se ekziston mundësia e ekspozimit lokal ndaj mushkonjave dhe infeksioni të shkaktohet në vend.
Telegrafi: Si e vlerëson IKSHPK-ja nivelin aktual të rrezikut për popullatën në Kosovë, a pritet që numri i rasteve të rritet gjatë javëve në vijim?
IKSHPK: Duke pasur parasysh se nga të dhënat e mbledhura gjatë vizitave në teren dhe dhe informacionet epidemiologjike të disponueshme për të gjitha rastet, nuk është evidentuar një lidhje e drejtpërdrejtë epidemiologjike ndërmjet tyre, që bën që rastet të konsiderohen si sporadike. Megjithatë, situata duhet të interpretohet edhe në kontekstin e sezonalitetit të VNV dhe të aktivitetit të vektorëve (mushkonjave) gjatë periudhës së verës dhe fillimit të vjeshtë, kështu që rastet nuk duhet të nënvlerësohen dhe të merret në konsideratë qarkullimi real i virusit dhe të jepet përgjigja adekuate nga të gjithë sektorët.
Telegrafi: Cilat janë masat kryesore që qytetarët duhet t’i ndërmarrin për t’u mbrojtur nga pickimi i mushkonjave?
IKSHPK: Qytetarët duhet të përdorin repelentë (krema për lyerje) të lëkurës në pjesët e ekspozuara, të bartin veshje me ngjyra të hapura dhe të mbulojnë pjesët më të mëdha të trupit, në shtëpi të vendosen rrjeta mbrojtëse në dritare ( në zonat ku më shumë mushkonja), të kufizohet qëndrimi në ambiente te hapura në mëngjes dhe në muzg si dhe të përdorin pajisje shtesë si ventilatorët dhe repelentët për ambiente të jashtme.
Telegrafi: Kur duhet të kërkojë një person ndihmë mjekësore nëse ka pasur pickime nga mushkonjat dhe shfaq temperaturë apo simptoma të tjera?
IKSHPK: Shumica e rasteve të VNP, rreth 80 për qind të tyre, janë raste asimptomatike, pra infeksion pa dukje klinike, rreth 20 për qind shoqërohen me simptoma febrile që kanë nevojë për terapi mbështetëse, derisa 1 në 150 raste zhvillon sëmundje apo formë klinike të rëndë me simptoma neruroinvazive (meningjit, encefalit dhe meningoencefalit).
Qytetarët duhet të lajmërohen tek mjeku më i afërt nëse shfaqin ndonjërën nga simptomat e lartpërmendura dhe, sidomos nëse ato janë shfaqur pas një udhëtimi në zonat që kanë regjistruar raste të VNP apo kanë histori ekspozimi, d.m.th. janë pickuar/kafshuar nga mushkonja dhe kanë shfaqur simptoma.
Telegrafi: Si diagnostikohet virusi i Nilit Perëndimor dhe a janë të disponueshme testet në Kosovë?
IKSHPK: Testimi për VNP bëhet në IKSHPK. Testi kryesor për VNP është testimi për IgM në serum dhe në rastet neuroinvasive edhe në LCS -likvor, lëngun trunoshpinor ndërsa RT-PCR për ARN virale përdoret sidomos në fazën e hershme të infeksionit.
Telegrafi: Si trajtohen pacientët e infektuar dhe çfarë ndodh në rastet kur sëmundja prek sistemin nervor?
IKSHPK: Trajtimi klinik bëhet në Klinikën Infektive të QKUK-së pavarësisht nëse rasti ka simptomatologji më të lehtë apo simptoma neuroinvasive. Trajtimi ka të bëjë me hospitalizimin, dhënia e terapisë mbështetëse (me që vaksinë nuk ka ndaj këtij infeksioni), monitorim i disfagisë, kapacitetit vital dhe dobësisë mushkërore, intubim kur duhet, trajtim i krizave, korrigjim i çrregullimeve metabolike, monitorim i vazhdueshëm i statusit neurologjik.
Telegrafi: Cili është mesazhi i IKSHPK-së për qytetarët në këtë periudhë?
IKSHPK: IKSHPK rekomandon qytetarët që të jenë të kujdesshëm, të zbatojnë masat parandaluese mjedisore duke mbajtur sa më të pastër shtëpitë, banesat, oborret, kopshtet dhe ambientet publike, duke përdorur masa të mbrojtjes personale dhe, ata që vizitojnë zona ku raportohen raste të transmetuara nga mushkonjat, të monitorojnë gjendjen e tyre shëndetësore dhe nëse shgfaqin shenja të lajmërohen te profesionisti shëndetësor për këshillim dhe ndihmë.
VNP nuk është sëmundje e panjohur, është sëmundje endemike që lidhet shumë edhe me sezonalitetin kohor me aktivitet nga maji deri në tetor (me intensitet më të lartë në gusht-shtator), në raport me të cilën duhet pasur kujdes, dhe jo panik.
Për informacion, vetëm në rajonin evropian gjatë kësaj vera janë të regjistruara mbi 180 zona të përhapjes së VNP. /Telegrafi/