E plotësuar – Qeveria e Kosovës ka miratuar shqyrtimin e propozim-vendimit për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) jashtë vendit, konkretisht në kuadër të një misioni ndërkombëtar stabilizues në Gaza.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka dhënë detaje mbi arsyet dhe bazën ligjore të kësaj nisme, duke theksuar se vendimi përfundimtar i takon Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Sipas tij, Ministria e Mbrojtjes, në përputhje me objektivat dhe planifikimet strategjike për bashkëpunim me shtetet aleate, si dhe mbi bazën e një ftese të pranuar nga Komanda Qendrore e ShBA-së më 10 dhjetor 2025, ka iniciuar procedurat për këtë proces, përcjell Telegrafi.
Ai bëri të ditur se kjo ftesë lidhet me Rezolutën 2803 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe me vullnetin politik të shprehur në kuadër të mekanizmave ndërkombëtarë për paqe.
“Ministria e Mbrojtjes, mbi bazën e objektivave dhe planifikimeve strategjike për bashkëpunim me shtetet aleate, ftesës së pranuar nga Komanda Qendrore e ShBA-së më 10.12.2025 që i referohet rezolutës 2803 të Këshillit të Sigurisë të OKB-së, vullnetit politik të shprehur në Bordin e Paqes si dhe ligjeve për dërgimin e FSK-së jashtë vendit, ka iniciuar procedurat për të kërkuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës marrjen e vendimit për dërgimin e FSK-së jashtë vendit”, ka deklaruar Maqedonci.
Ai shtoi se pjesëmarrja e FSK-së në këtë mision do të bëhet në kuadër të një komande të unifikuar ndërkombëtare, e cila ka për qëllim mbështetjen e zbatimit të një plani gjithëpërfshirës për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza, gjithmonë në përputhje me mandatin e forcës ndërkombëtare stabilizuese.
Kurti: Jemi të gatshëm të marrim pjesë në Gaza si forcë stabilizuese ndërkombëtare
Kryeministri i Albin Kurti ka deklaruar se vendi është i gatshëm të kontribuojë në misione ndërkombëtare në Gaza, si pjesë e një force stabilizuese me karakter ndërkombëtar.
Ai rikujtoi se në fund të janarit 2025, qeveria ka ndarë 500 mijë euro për popullin palestinez në Gaza, si shenjë solidariteti dhe mbështetjeje humanitare.
Sipas tij, aktualisht është në rend dite një propozim-vendim i përgatitur nga Ministria e Mbrojtjes, përmes të cilit kërkohet nga Kuvendi i Republikës miratimi për dërgimin e pjesëtarëve të FSK-së në këtë mision.
Kryeministri theksoi se gjatë vitit të kaluar, ministri Maqedonci dhe komandanti Jashari kishin kërkuar leje për të marrë pjesë në një konferencë në Doha të Katarit, e cila kishte në fokus krijimin e një force ndërkombëtare stabilizuese për Gazën.
Ai vlerësoi lart kapacitetet e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), duke theksuar se ajo ka ndërtuar një reputacion ndërkombëtar në fusha të rëndësishme si kërkim-shpëtimi dhe deminimi, si dhe në operacione të tjera të sigurisë.
“Jemi të gatshëm të marrim pjesë në forcën stabilizuese ndërkombëtare për popullin e Gazës, edhe për faktin se ne vetë kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi përfitues të pranisë së forcave ndërkombëtare që nga viti 1999”, ka deklaruar Kurti. /Telegrafi/