Përzgjedhësi i Kosovës Franco Foda thotë se “Dardanët” kanë disa alternativa për mbrojtësin Amir Rrahmani dhe mesfushorin Leon Avdullahu.
Kosova në sfidën vendimtare ndaj Sllovakisë do të jetë pa dyshen që kanë qenë kyçe në këto kualifikuese, por Foda nuk i ka “qarë” këto lëndime.
Ai në konferencë për media deklaroi se dyshja do të jenë mungesë e madhe, por Kosova e ka dëshmuar se mund ta zëvendësojë secilin pasi të gjithë japin më të mirën.
“Sigurisht se mungesat kanë rol të rëndësishëm. Amiri është edhe kapiten përpos në top formë, është shumë i rëndësishëm për skuadrën. Leon Avdullahu është strateg i madh, do të na mungojnë por kemi bërë kalkulime dhe do t’i gjejmë zgjidhjet e duhura”.
“Siç kemi bërë në kualifikuese do t’i gjejmë alternativat dhe lojtarët që kanë zëvendësuar e kanë merituar vendin dhe treguar vetën. Po shpresojmë se do të fitojmë”.
“Po Veseli po kalon një formë të mirë, i kemi shikuar disa ndeshje në stadium. Por, Kosova ka disa opsione për ta zëvendësuar Avdullahun, pra atë pjesë ku luan si Rexhbeçaj, Hoxha, Muslija, Berisha. Tash mbetet të shohim në këto tre ditë se kush do të luajë dhe si do të veprojmë”, deklaroi ai.
Kujtojmë, Kosova përballet me Sllovakinë të enjten në Bratislavë./Telegrafi/