Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), ka reaguar ndaj deklaratave të ambasadorit gjerman në Kosovë, Rainer Rudolph, duke ngritur shqetësime për ndikim të mundshëm në procesin gjyqësor në Hagë.
Në një reagim, OVL UÇK vlerëson se deklaratat e ambasadorit “ngrejnë dyshime serioze për procesin gjyqësor në Hagë”, duke i cilësuar ato si të papërshtatshme në një kohë të ndjeshme.
Sipas OVL-UÇK-së, koha e këtyre deklarimeve nuk është e rastësishme.
“Pse po ngrihet kjo temë pikërisht tani nga ambasadorët, në prag të vendimit të Gjykatës Speciale? Kjo është përpjekje për ta parapërgatitur opinionin për një vendim që duket se tashmë është i shkruar diku tjetër”, thuhet në reagim.
Organizata shpreh shqetësim edhe për mënyrën se si po trajtohet çështja nga përfaqësues diplomatikë.
“Nuk është neutralitet nëse ambasadorët flasin për ‘dënime apo lirime’, por është paragjykim i hapur i procesit dhe sinjal i qartë i ndikimit të jashtëm”, thuhet tutje në reagim.
Në reagim theksohet se drejtësia duhet të mbetet e pavarur dhe e paanshme.
“Drejtësia nuk duhet as të diktohet, as të parapërgatitet dhe as të ndërtohet me mesazhe diplomatike”, kanë theksuar nga OVL-UÇK
OVL-UÇK shton se asnjë vendim, absolutisht asnjë, që e cenon luftën tonë, nuk do të pranohet.
“Nuk e lejojmë askënd të luajë me sakrificën tonë!”, thuhet në fund të reagimit. /Telegrafi/