Për shumicën e kompanive të mesme, inovacioni nis me të dhënat e veta, të sakta dhe të aksesueshme në çdo moment. Kompanitë që e ndërtojnë këtë themel marrin vendime më të shpejta dhe rriten me më shumë siguri.
Është e hënë në mëngjes dhe drejtori i një kompanie të mesme bën një pyetje të thjeshtë: sa fitim solli muajin e kaluar linja e re e produkteve? Përgjigja kërkon një email për kontabilitetin, një tjetër për shitjet, dy tabela Excel që duhen përputhur dhe një takim sqarues të mërkurën. Kur shifra mbërrin në tavolinë, vendimi për porosinë e radhës është shtyrë tashmë një javë.
Sot, në një treg ku marzhet po ngushtohen dhe konkurrenca rritet përditë, shpejtësia në vendimmarrje është kthyer në avantazhin kryesor konkurrues. Megjithatë, shumë kompani në rajon përballen me të njëjtin skenar: një kosto të fshehur që rrallë figuron në bilanc. Ajo paguhet çdo ditë me kohë të humbur, gabime manuale dhe mundësi që u kalojnë konkurrentëve më të shpejtë.
Teknologjia që udhëheq vendimmarrjen strategjike
Debati publik për teknologjinë përqendrohet sot te inteligjenca artificiale, dhe me arsye. Për shumicën e bizneseve në rajon, hapi i parë inovativ është më praktik: bashkimi i të dhënave në një vend të vetëm, të sakta dhe të përditësuara. Mbi këtë themel ndërtohet çdo zgjidhje e mëpasshme, përfshirë Inteligjencën Artificiale. Algoritmi më i avancuar jep rezultate aq të mira sa të dhënat që e ushqejnë.
Mbi këtë realitet mbështetet edhe shtylla Teknologji & Inovacion në Business Reset 2026. Ajo fokusohet te sistemet që lehtësojnë planifikimin, monitorimin dhe raportimin, duke u dhënë drejtuesve kontroll të plotë mbi operacionet dhe vendimmarrjen. Pa ndërlikime me teori abstrakte, qasja është tërësisht praktike: zgjidhje konkrete që funksionojnë në tregun shqiptar, të ilustruara përmes rasteve reale.
Sistemet ERP, janë parë për vite si investim i rezervuar për korporatat e mëdha, me kosto të larta dhe projekte implementimi që zgjasnin me muaj. Platformat modulare e kanë ndryshuar këtë panoramë. Odoo, platforma me burim të hapur e lindur në Belgjikë, ofron sot dhjetëra module të integruara, nga kontabiliteti dhe shitjet te inventari, prodhimi dhe burimet njerëzore. Një kompani mund të nisë me modulin më urgjent dhe të zgjerohet hap pas hapi sipas rritjes.
Kjo qasje modulare ka rëndësi të veçantë për tregun shqiptar, ku shumica e kompanive janë të vogla dhe të mesme. Investimi shpërndahet në kohë, ekipi mëson sistemin gradualisht dhe çdo modul i ri ndërtohet mbi të dhënat e modulit paraardhës. Rezultati është një pamje e unifikuar e biznesit, e disponueshme në kohë reale.
Gentian Gjiknuri, CEO i String, njëkohësisht partner Odoo dhe Gold Partner i Business Reset, do të hapë sesionin e fjalimeve në Main Stage. Ai do të sjellë përvojën e tij direkte me shembuj konkretë implementimi nga sipërmarrje shqiptare që kanë unifikuar operacionet e tyre në një sistem të vetëm. Gjatë pasdites, String do të drejtojë dy workshop-e praktike të dedikuara për Odoo: njëra mbi përshtatjen e sistemit për nevojat e ekipit (nga rekrutimi te performanca) dhe tjetra mbi auditimin, integrimin dhe personalizimin e ERP-së sipas proceseve specifike të biznesit.”
Lorent Gordi, Drejtor i Përgjithshëm i Philip Morris Albania, e plotëson këtë fushë me një perspektivë tjetër të inovacionit: transformimin e një kompanie globale. Philip Morris International ka shpallur prej disa vitesh strategjinë e kalimit drejt produkteve pa tym, një nga ndryshimet më të mëdha të modelit të biznesit në industrinë e saj. Përvoja e Gordit tregon si zbatohet një transformim i tillë në nivel vendi, me ekipe, partnerë dhe konsumatorë vendas.
Inovacioni, merr formën e një disipline menaxheriale. Ai kërkon të dhëna të sakta, procese të qarta dhe ekipe të gatshme për të përqafuar mënyra të reja pune. Teknologjia është mjeti; vendimi për ta përdorur me strategji mbetet në duart e drejtuesve.
Përgatitja më e mirë për këtë fushë janë tri pyetje:
Sa kohë kërkon sot përpilimi i një raporti të saktë mbi performancën mujore?
Sa procese kritike varen tërësisht nga një person i vetëm?
Dhe cili sistem do të ndihej i pari nëse porositë do të dyfishoheshin nesër?
Përgjigjet e këtyre pyetjeve përbëjnë pikënisjen ideale për një dialog të frytshëm me folësit dhe partnerët tanë teknologjikë.
Këto diskutime mund të thellohen përgjatë gjithë ditës në Experience Zone, ku zgjidhjet do të prezantohen përmes Demo Live. Për drejtuesit që po vlerësojnë investimet teknologjike për vitin 2027, kjo është mundësia ideale për të parë sistemet në veprim dhe për të bashkëbiseduar drejtpërdrejt me ekipet që i implementojnë ato.
Në fund, teknologjia i ofron drejtuesit pasqyrën e plotë të biznesi, një kthjelltësi me të cilën çdo vendim merret më shpejt, çdo risk identifikohet më herët dhe çdo mundësi kapet në momentin e duhur.
Business Reset zhvillohet më 15 tetor 2026 në Hotel Marriott Tirana.
Biletat gjenden në businessreset.al