Afati kalimtar i kësaj vere pritet të jetë shumë i ngarkuar për Real Madridin, që ka disa probleme të dukshme për t’i adresuar në skuadrën e drejtuar nga Alvaro Arbeloa.
Pritet që në “Santiago Bernabeu” të transferohen dy mesfushorë, njëri prej tyre Nico Paz, dhe kjo mund të hapë rrugën për largimin e një lojtari aktual.
Nëse kjo ndodh, kandidati më i mundshëm për t’u larguar është Eduardo Camavinga, i cili ka pasur vështirësi të gjejë vazhdimësi gjatë këtij sezoni.
Real Madridi është i gatshëm të dëgjojë oferta mbi 50 milionë euro për reprezentuesin francez, i cili po tërheq interes të madh, sidomos nga klubet angleze.
Sipas TEAMtalk, Liverpooli është ndër skuadrat e interesuara për Camavingan dhe tashmë ka nisur punën për një marrëveshje të mundshme për ta transferuar mesfushorin në “Anfield”.
Klubi anglez e sheh të realizueshëm këtë transferim, megjithatë shumëçka do të varet nga gatishmëria e lojtarit për t’u larguar nga Madridi, ku duket se është mjaft i stabilizuar.
Edhe pse Camavinga është vlerësuar lart nga drejtuesit e Real Madridit prej kohësh, paraqitjet e fundit të Thiago Pitarch kanë krijuar bindjen se ai mund të shitet për të siguruar fonde për transfere të reja.
Për më tepër, konkurrenca në mesfushë është e madhe, pasi Aurelien Tchouameni, Arda Guler, Federico Valverde dhe Jude Bellingham janë përpara tij në hierarki.
Për këtë arsye, pavarësisht vlerës së tij të lartë, një shitje e mundshme shihet si një opsion i arsyeshëm./Telegrafi/