Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka komentuar propozimet e partive politike për anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), duke kritikuar veçanërisht propozimin e tre kandidatëve nga Lëvizja Vetëvendosje.
Sipas tij, një veprim i tillë “e rikthen kot së koti në debat një çështje që është sqaruar prej kohësh”, si në aspektin kushtetues ashtu edhe në praktikë.
Cakolli vlerëson se kjo mund të jetë përpjekje për të penguar funksionalizimin e plotë të KQZ-së ose për të krijuar bazë për kontestimin e përbërjes së re të këtij institucioni, pikërisht në prag të një mundësie për zgjedhje të reja.
Ai thekson se modeli i përbërjes së KQZ-së në Kosovë është strikt dhe jo proporcional, çka nënkupton se secili grup parlamentar me të drejtë përfaqësimi propozon nga një anëtar, pavarësisht fuqisë politike apo numrit të deputetëve.
Tutje shtoi se ky model është ndërtuar për të garantuar paanshmërinë e institucionit dhe për të shmangur kontrollin nga shumicat politike.
Ai kujton se Gjykata Kushtetuese ka konfirmuar këtë qasje në disa raste, përfshirë edhe një vendim në vitin 2021.
Në këtë kontekst, ai thekson se ndarja aktuale duhet të jetë e qartë: Lëvizja Vetëvendosje dhe PDK-ja nga dy anëtarë, ndërsa LDK dhe AAK nga një.
Cakolli i ka bërë thirrje presidentes Vjosa Osmani që të mos lejojë paqartësi në këtë proces, duke kërkuar që ajo ose të obligojë LVV-në të propozojë dy kandidatë në përputhje me ligjin, ose të përzgjedhë dy nga tre emrat e propozuar, sipas kompetencave që i njeh ligji./Telegrafi.