Chaz Bono (57), djali i këngëtares legjendare Cher dhe të ndjerit Sonny Bono, është martuar me partneren e tij prej shumë vitesh, Shara Blue Mathes. Çifti, që njihen që nga adoleshenca, kanë kurorëzuar dashurinë e tyre më 8 mars, në një ceremoni të frymëzuar nga stili i vjetër i Hollywoodit, e mbajtur në hotelin e njohur Hollywood Roosevelt Hotel në Los Angeles.
“Sharan e takova për herë të parë më shumë se 40 vjet më parë, kur të dy ishim vetëm adoleshentë”, ka deklaruar Chaz për mediat. “Besoj se rrallë ndodh që një dhëndër të martohet me vajzën e parë që ka puthur ndonjëherë, dhe atë pas kaq shumë vitesh”.
Ai shtoi se partnerja e tij e plotëson në çdo aspekt të jetës. “Ajo më bën të ndihem i plotë, sepse e di që gjithmonë do ta kem pranë si partnere, si shoqen time më të mirë dhe dashurinë e jetës sime. Çfarëdo që të na sjellë jeta, bashkë do të jemi gjithmonë më të sigurt dhe më të fortë… dhe më në fund ndihemi si në shtëpi”, u shpreh ai.
Chaz është djali i Cher dhe ish-bashkëshortit të saj Sonny Bono, me të cilin këngëtarja formoi në vitin 1964 duetin e famshëm pop Sonny & Cher. Artistja ka edhe një djalë tjetër, Elijah Blue Allman, të cilin e lindi në vitin 1976 nga martesa me muzikantin Gregg Allman. Si Sonny Bono ashtu edhe Gregg Allman kanë ndërruar jetë.
Në një intervistë për Vanity Fair në vitin 2010, Cher foli me krenari për djemtë e saj. “Të dy janë shumë të talentuar dhe artistikë, dhe janë djem të mirë. Janë burra të rritur dhe shumë të ndryshëm nga njëri-tjetri”, ishte shprehur ajo.
Chaz lindi si vajzë me emrin Chastity Bono, por më vonë kaloi procesin e tranzicionit dhe ndryshoi gjininë.
Ai u rrit në New York City, ku ndoqi shkollën e mesme prestigjioze Fiorello H. LaGuardia High School of Music & Art and Performing Arts. Në vitin 2011 hyri në histori si garuesi i parë transgjinor në spektaklin e njohur Dancing with the Stars. Po atë vit, në Sundance Film Festival u shfaq premierë dokumentari mbi tranzicionin e tij, Becoming Chaz.
Nëna e tij, Cher, ka qenë gjithmonë një mbështetje e madhe për të dhe shpesh ka reaguar edhe ndaj sulmeve transfobike të drejtuara ndaj djalit të saj.
“Chaz është shumë i lumtur, jashtëzakonisht i lumtur, dhe nuk e kuptoj se ku qëndron problemi për disa njerëz. Ata kanë frikë dhe thjesht nuk dinë si ta kuptojnë këtë”, ishte shprehur ajo. /Telegrafi/