Ministri i Sportit, Blerim Gashani, ka njoftuar se koeficienti i mbështetjes për sportistet dhe trajneret femra është rritur me 100 për qind.
Mbështetja financiare për sportistet dhe trajneret femra në Kosovë është rritur me 100 për qind. Me vendimin e ri, koeficienti i përkrahjes është dyfishuar, duke kaluar nga 200 euro në 400 euro.
Është ministri i ri i Sportit, Blerim Gashani, i cili ka njoftuar përmes profilit të tij zyrtar në rrjetin social Facebook.
“100% rritje e koeficientit për sportistet dhe trajneret femra. Me këtë vendim, kemi dyfishuar mbështetjen për sportistet dhe trajneret femra, nga 200€ në 400€. Ky është një hap i rëndësishëm për fuqizimin e grave në sport dhe për krijimin e më shumë mundësive për zhvillim dhe përkushtim në arenën sportive”.
“Sportistet tona kanë sjellë sukseset më të mëdha ndërkombëtare për Kosovën dhe kanë ngritur lart flamurin e vendit. Mbështetja për to, përveç obligim, është edhe investim në suksesin e sportit tonë”, ka shkruar Gashani.
Ky vendim konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt rritjes së përkrahjes për gratë në sport dhe një investim në zhvillimin e mëtejshëm të sportit në vend. /Telegrafi/