Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, ka bërë të ditur se aktualisht po zhvillohen punime për asfaltimin e disa rrugëve lokale në fshatin Topanicë, ndërsa projekte të tjera pritet të nisin në periudhën në vijim.
Përmes një njoftimi publik, ai ka theksuar se në këtë fshat janë duke u asfaltuar 15 rrugë lokale, ndërsa edhe gjashtë të tjera pritet të fillojnë së shpejti.
“Mirëmëngjesi nga Topanica. Aty ku momentalisht po punohet në asfaltimin e 15 rrugëve lokale, e 6 të tjera pritet që të fillojnë së shpejti”, ka shkruar Rahimaj.
Sipas tij, në kuadër të këtyre investimeve është paraparë edhe ndërtimi i trotuarit që do të lidhë shkollën me pjesën e epërme të fshatit.
“Në kuadër të punëve që do të bëhen, është edhe trotuari që fillon nga shkolla e deri në pjesën e epërme të fshatit”, ka theksuar ai.
Rahimaj ka shtuar se gjatë këtij mandati komuna do të ketë një ritëm më të madh të realizimit të projekteve infrastrukturore.
“Ashtu siç kemi thënë, dinamikë tjetër pune do të ketë ky mandat”, është shprehur kryetari i Kamenicës. /Telegrafi/