Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Gjilanit, Enver Shabani, ka theksuar rëndësinë e gatishmërisë dhe koordinimit institucional për menaxhimin e situatave emergjente dhe forcimin e sigurisë për qytetarët.
Ai ka bërë të ditur se fusha e mbrojtjes dhe shpëtimit kërkon profesionalizëm dhe bashkëpunim të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve përkatëse, me qëllim rritjen e kapaciteteve dhe reagimin efikas ndaj rreziqeve të ndryshme.
Shabani ka premtuar angazhim për të punuar me përkushtim, transparencë dhe koordinim të ngushtë me institucionet relevante për parandalimin e rreziqeve dhe reagim të shpejtë në çdo situatë emergjente.
“Do të jem i hapur për bashkëpunim, që dëgjon, vlerëson punën në ekip dhe që vendos interesin e qytetarit mbi çdo gjë tjetër. Besoj fuqishëm se vetëm së bashku mund të ndërtojmë një sistem më të sigurt dhe më të qëndrueshëm për të gjithë”, ka deklaruar Shabani.
Ai gjithashtu ka falënderuar për besimin dhe mbështetjen e dhënë, duke theksuar se detyrën do ta ushtrojë me ndershmëri, përgjegjësi dhe përkushtim maksimal. /Telegrafi/