Shërbimi i Kërkim‑Shpëtimit Malor i Kosovës ka shpëtuar një shtetase italiane që ishte aksidentuar gjatë skijimit në zonën malore të Brezovica Ski Resort, pranë kufirit mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Sipas njoftimit, incidenti ka ndodhur më 7 mars 2026, kur një grup turistësh italianë po skijonin në zonën ndërmjet Majës së Gurit të Zi dhe Majës së Liqenit.
Gjatë skijimit, njëra nga turistet ka pësuar frakturë në këmbë, duke e pasur të pamundur çdo lëvizje nga vendi i aksidentit.
Pas marrjes së thirrjes për ndihmë, ekipet e shpëtimit kanë nisur menjëherë operacionin nga qendra skitare e Brezovicës me dy ekipe të specializuara. Ekipi i parë ka arritur shpejt në vendngjarje, duke ofruar ndihmën e parë dhe duke bërë imobilizimin e të aksidentuarës, ndërsa ekipi i dytë është bashkuar me pajisje kolektive për evakuimin e saj.
Për shkak se zona ku ndodhi aksidenti ishte e izoluar dhe brenda territorit të Maqedonisë së Veriut, është vendosur që evakuimi të realizohet me helikopter në bashkëpunim me autoritetet e këtij shteti.
Gjatë operacionit, Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës ka qenë në koordinim me Ambasadën e Italisë në Kosovë, Agjencinë Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim dhe Ambasadën e Italisë në Maqedoninë e Veriut.
Operacioni është mbështetur gjithashtu nga menaxhmenti i Qendrës së Skijimit në Brezovicë.
Ndërhyrja është realizuar me sukses dhe i kanë uruar shërim të shpejtë turistes së lënduar./Telegrafi/