Qeveria e Giorgia Melonit ka vendosur të zgjasë deri më 1 maj uljen e akcizës për karburantet, në një përpjekje për të frenuar rritjen e çmimeve në pompa, që është përshpejtuar nga lufta dhe tensionet në Lindjen e Mesme.
Vendimi u miratua të premten nga Këshilli i Ministrave dhe u bë i ditur nga ministri italian i Ekonomisë, Giancarlo Giorgetti, i cili tha se masa e re do t’i kushtojë shtetit rreth 500 milionë euro.
Ulja e akcizës, e miratuar fillimisht më 18 mars dhe që do të përfundonte më 7 prill, u jep aktualisht italianëve një zbritje prej 25 centësh për litër për benzinën dhe naftën, ndërsa për GLP-në zbritja është 12 centë për litër.
Faza e parë e kësaj mase i ka kushtuar qeverisë rreth 528 milionë euro, transmeton Telegrafi.
Dekreti i ri parashikon gjithashtu masa të veçanta për sektorin bujqësor. Fermat do të përfitojnë një kreditim tatimor prej 20 për qind, i cili ishte miratuar më herët për sektorin e peshkimit.
Ndërkohë, për transportuesit rrugorë dhe peshkatarët është parashikuar një kredi tatimore prej 28 për qind për blerjet e naftës.
Giorgetti tha se rreth 200 milionë euro të kostos së masës do të mbulohen nga rritja e të ardhurave nga TVSH-ja, ndërsa 300 milionë euro do të sigurohen kryesisht nga fondet e papërdorura të skemës ETS për emetimet e CO₂.
Por pavarësisht uljes së akcizës, çmimet në pompa kanë vazhduar të rriten, të ndikuara nga rritja e çmimit të naftës dhe përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme.
Tensionet rreth Ngushticës së Hormuzit, përmes së cilës kalon rreth një e pesta e naftës globale, kanë shtuar presionin mbi tregjet energjetike dhe çmimet e karburanteve në Evropë.
Sipas të dhënave të Ministrisë italiane të Mjedisit, javën e kaluar çmimi mesatar ishte 1.733 euro për litër për benzinën dhe 2.032 euro për litër për naftën. Krahasuar me periudhën para sulmeve amerikane dhe izraelite ndaj Iranit, benzina është rritur me rreth 6 centë për litër, ndërsa nafta me 31 centë.
Organizata italiane e konsumatorëve Codacons ka kritikuar vendimin, duke argumentuar se zgjatja e uljes së akcizës nuk mjafton për t’i kthyer çmimet në nivele të pranueshme.
Sipas saj, nafta ka kaluar sërish 2.10 euro për litër në nëntë rajone të Italisë, pavarësisht uljes së akcizës.
Çmimet më të larta janë regjistruar në Bolzano, me 2.134 euro për litër, ndërsa pasojnë Calabria me 2.116 euro, Friuli Venezia Giulia me 2.113 euro dhe Liguria e Lombardia me 2.108 euro për litër.
Në autostrada, sipas Codacons, nafta kushton rreth 2.137 euro për litër, ndërsa benzina 1.822 euro.
Shoqata argumenton se rritja e çmimeve në pompa e ka zbehur pothuajse tërësisht efektin e uljes së akcizës dhe kërkon që qeveria të marrë masa edhe më të forta fiskale.
Ndërkohë, Giorgetti paralajmëroi se nëse lufta dhe kriza energjetike vazhdojnë pa ndryshime, Italia mund të përballet me pasoja të reja në financat publike dhe mund të detyrohet të kërkojë fleksibilitet më të madh nga rregullat fiskale të Bashkimit Evropian. /Telegrafi/