Trajneri i UD Almeria, Rubi ka deklaruar se klubi do ta priste me “krahë hapur” Cristiano Ronaldo nëse ylli portugez do të vendoste ndonjëherë të luante për skuadrën spanjolle.
Komentet vijnë pasi Ronaldo bleu 25% të aksioneve të Almerias përmes kompanisë së tij CR7 Sports Investments, në kuadër të zgjerimit ndërkombëtar të klubit nën presidencën e Mohammed Al-Khereiji.
Rubi u shpreh entuziast në konferencë për shtyp: “Jemi shumë të lumtur. Natyrisht, e mirëpresim. Mendoj se është një lajm i shkëlqyer sepse dikush si ai, me njohuri 100 për qind të sportit dhe futbollit, mund të ndihmojë një klub si i yni. Është shumë emocionuese për gjithë klubin dhe për qytetin”.
Sulmuesi portugez, aktualisht pjesë e Al-Nassr, nuk ka dhënë sinjale se planifikon të rikthehet për të luajtur në Spanjë, por trajneri la derën hapur.
“Do të ishte diçka e jashtëzakonshme dhe e mrekullueshme nëse ai do të luante këtu, por kjo është një pyetje për të. Ky është klubi i tij dhe, nëse do të donte të vazhdonte të luante, kushdo që të jetë trajner, ai do të pritej me krahë hapur. Nuk kam asnjë dyshim për këtë”.
Ndërkohë, presidenti Al-Khereiji shtoi: “Cristiano Ronaldo konsiderohet si më i madhi që ka luajtur ndonjëherë futbollin. Ai i njeh shumë mirë ligat spanjolle dhe e kupton potencialin e asaj që po ndërtojmë këtu, si në ekip ashtu edhe në akademi”./Telegrafi/