Almir Kryeziu është një ndër arsyet që Ballkani këtë edicion po lufton për titullin kampion, falë formës së jashtëzakonshme që po kalon.
Me nëntë gola e 10 asistime, Kryeziu është lojtari më i dalluar te skuadra suharekase, kurse objektivi mbetet i qartë – të rikthehet epiteti i kampionit.
Në një intervistë për Telegrafi, Kryeziu ka veçuar paraqitjet me Dritën dhe Prishtinën e Re si më të mirat deri më tani.
“Po është e vërtetë po kaloj një moment shumë të mirë, shpresoj të vazhdoj kështu dhe t’i ndihmoj ekipit. T’i arrijmë objektivat si titulli kampion por edhe kupa gjithashtu”.
“Ndoshta me Dritën ku dhashë dy asistime, por edhe me Prishtinën e Re, dy gola e dy asistime. Këto dy ndeshje i veçoj ma shumë”.
“Çka ka ndryshuar? Po luaj pak më lirshëm por prapë është pozita e njëjtë, por ndoshta po e ndjej vetën pak më mirë këtë sezon dhe po e ndihmoj ekipin”.
Anësori beson se faza përgatitore i ka ndihmuar Ballkanit të bëhet kaq e fortë nën urdhrat e kroatit Miroslav Karoglan.
“Edhe me trajnerin Miroslav, por edhe me Orges Shehun kemi bërë një punë shumë të mëdha, tani me kroatin po kallxojmë paraqitje shumë më të mirë dhe faza përgatitore po na ndihmon tani në vazhdimësi”.
“Është shumë e vështirë, ka me qenë garë e fortë me Dritën dhe Prishtinën por besoj me fondin e lojtarëve do të dalim kampion”.
I pyetur për të ardhmen, ai la të hapur mundësinë që të vazhdojë me Ballkanin, ndërsa konfirmoi edhe interesimin nga klubet e tjera.
“Synimi kryesor është të vazhdoj me Ballkanin edhe nëse largohem të largohem si kampion, duke ditur se kam edhe dy-tre muaj kontratë”.
“Nuk ka diçka konkrete, ka interesim. Ende nuk kam vendosur, por bisedoj edhe me Ballkanin për një kontratë të re, por nuk i dihet deri në fund”./Telegrafi/