Rruga evropiane e Shkëndijës u ndal në Turqi. Kampionia e Maqedonisë së Veriut u mposht nga Samsunspori me rezultat 0-4 në ndeshjen e “play-off”-it, duke i dhënë fund një aventure historike në Ligën e Konferencës të UEFA-s, një kapitull që për herë të parë u shkrua me emrin e saj në këtë fazë të garës, njofton Telegrafi.
Megjithatë, kjo mbrëmje në Samsun nuk e zbeh atë që Shkëndija arriti. Përkundrazi, e vulos si një nga sukseset më të mëdha ndërkombëtare të klubit. Të arrish deri këtu nuk është rastësi. Është rezultat i punës, vizionit dhe guximit për t’u përballur me skuadra me buxhete dhe eksperiencë shumë më të madhe. Plus, përfitimi financiar që kalon shifrën e 6 milionë eurove është dëshmi konkrete se kjo rrugë kishte peshë sportive dhe financiare.
Skuadra e drejtuar nga Jeton Beqiri zhvilloi dy pjesë të ndryshme. Pjesa e parë ishte shembull se si duhet të luhet në Evropë, me ritëm, guxim dhe organizim. Me Ndzenguen në majë të sulmit, tetovarët krijuan disa raste, provuan gjashtë herë drejt portës kundërshtare dhe mbajtën nën presion vendasit. Edhe pse goditjet nuk gjetën kuadratin, ishin sinjale të qarta se Shkëndija kishte ardhur për të luajtur, jo për t’u mbrojtur. Në anën tjetër, portieri Gaye u përgjigj sa herë që u vu në provë, duke e mbajtur ekipin në lojë.
Momenti që ndryshoi gjithçka erdhi në fillim të pjesës së dytë. Një penallti e evitueshme pas një rivënie nga këndi i dha mundësinë Oliver Ntcham të kalojë Samsunsporin në epërsi në minutën e 53-të. Nga aty, loja mori tjetër kahje. Goditja psikologjike u ndje. Në minutën e 71-të, pas një aksioni ku Besart Ibraimi kërkoi faull pranë zonës kundërshtare, loja vazhdoi, vendasit ndërtuan kundërsulm të shpejtë që u finalizua nga Sherif Ndiaye për 2-0.
Më pas, presioni dhe hapësirat e lëna prapa bënë të vetën. Një gol u anulua për pozicion jashtë loje, por i treti erdhi në minutën e 79-të me anë të Marius Mouandilmadji, i cili shënoi për 3-0. I njëjti futbollist vulosi rezultatin 4-0 në fund, pas një kundërsulmi tjetër, duke gjetur portën e zbrazët.
Humbja është me rezultat të thellë, por historia nuk shkruhet vetëm me rezultatin e një nate. Shkëndija doli nga Evropa me kokën lart. Kjo skuadër tregoi se mund të garojë, të rritet dhe të ëndërrojë më shumë.
Tani fokusi kthehet në frontin vendor. Gara për titull në elitën e futbollit dhe Kupa mbeten objektiva reale. Ironikisht, humbja në Turqi vjen pak ditë para një prej sfidave më të rëndësishme të sezonit në kampionat, përballjes ndaj Vardarit në transfertë. /Telegrafi/