Bashkimi Evropian ka deklaruar se mbështetja për reformën e Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) është pjesë e përpjekjeve më të gjera për forcimin e sundimit të ligjit dhe avancimin e Kosovës në rrugën drejt integrimit evropian, në përputhje me vlerat dhe standardet evropiane.
“Ndërsa nuk komentojmë incizime të pretenduara, pozicioni ynë për reformën e KPK-së ka qenë publik dhe i qëndrueshëm”, thuhet në përgjigjen e BE-së për Telegrafin.
BE thekson se është angazhuar me KPK-në gjatë gjithë procesit dhe u ka bërë thirrje anëtarëve që të zbatojnë plotësisht reformën, të respektojnë procedurat ligjore, të garantojnë ligjshmërinë e vendimeve, të veprojnë me integritet dhe të ruajnë besimin e publikut në sistemin e drejtësisë.
Sipas BE-së, zbatimi efektiv i Ligjit për KPK-në është thelbësor për rritjen e llogaridhënies, uljen e praktikave të papërshtatshme korporatiste dhe sigurimin që Këshilli të funksionojë në interes të sistemit të drejtësisë dhe qytetarëve, e jo të interesave individuale.
“Çdo përpjekje për të vonuar, bllokuar apo minuar zbatimin e reformës sipas kornizës ligjore të Kosovës është e papranueshme dhe rrezikon të dëmtojë besimin publik si dhe të ngadalësojë progresin e Kosovës në rrugën e saj drejt BE-së”, thuhet më tej në reagim.
Në fund, BE-ja inkurajon të gjithë aktorët që ndajnë këto vlera të kontribuojnë në mënyrë konstruktive dhe profesionale në procesin e reformës, për të ndërtuar një sistem prokurorial që gëzon besim dhe mbështet të ardhmen evropiane të Kosovës.