Lojtarët e besuar të Sony mund të duhet të presin më gjatë se sa ishte planifikuar për PlayStation 6.
Raportimet e fundit tregojnë se gjiganti japonez po shqyrton mundësinë e shtyrjes së prezantimit deri në vitin 2028 ose 2029.
Arsyeja kryesore lidhet me mungesën globale të çipeve të memories, e përkeqësuar nga investimet e mëdha të kompanive si Google, Amazon dhe Microsoft në qendra të të dhënave për inteligjencë artificiale.
Kjo ka bërë që prodhuesit e çipeve të fokusohen më shumë në AI sesa në pajisje për konsumatorët, duke reduktuar sasinë e memorieve të disponueshme për konsolat e video-lojërave.
Në planin fillestar, PlayStation 6 ishte parashikuar të dilte në vitin 2027, por tani mund të ketë një vonesë deri në dy vjet.
Kjo do të zgjaste ciklin e jetës së PlayStation 5 dhe mund të ndikojë në strategjinë e Sony-t për lojëra ekskluzive.
Sony ende nuk ka komentuar zyrtarisht raportet mbi këtë shtyrje. /Telegrafi/