Pasimi për Rafael Leaon që shënoi golin e barazimit ishte një spektakël. Mesfushori po gjen qëndrueshmëri dhe po përshtatet me stilin e lojës së Milanit. Futbollisti, për të cilin Milani pagoi 34 milionë euro, po fillon të japë fryte.
Një pasim nga 40 metra që i shërbeu Rafael Leaos, i ekzekutuar me lehtësinë tipike të Jasharit në pjesën e dytë, i lejoi sulmuesit të barazonte rezultatin dhe tregoi aftësinë e mesfushorit për të ndryshuar ritmin e lojës.
Mirë se vini në botën e Ardonit, djaloshit që po mëson nën mbikëqyrjen e Luka Modricit. Ai madje foli për këtë para ndeshjes, me sytë që i shkëlqenin, shkruan Gazzetta dello Sport.
“Është hera e parë që kam mundur të startoj me Lukën, shpresoj se do të jetë një ndeshje e mirë së bashku. Ai është një lojtar fantastik”, tha Jashari.
Në fushë, ata mbroheshin njëri-tjetrit kur Modric lirohej, dhe Jashari merrte vendin qendror për të mbuluar hapësirat në defensivë. Anasjelltas, ai ishte gjithmonë aty për ta mbështetur Modricin. Ndjeu kënaqësinë e paraqitjes krah mjeshtrit kroat, sepse për Massimiliano Allegrin, ai është zëvendësuesi i drejtpërdrejtë i Modricit.
Midis shumë cilësive të tij, Ardon krenohet me fleksibilitetin taktik: mund të luajë përpara mbrojtjes ose si mesfushor qendror.
Djalë me personalitet të fortë
Max Allegri e vendosi këtë herë në një pozicion të majtë, ku zakonisht është Adrien Rabiot. Jashari nuk është Rabiot, por karakteri i tij i fortë dhe vendosmëria u dukën qartë verën e kaluar, kur Club Brugge po zhvillonte betejën për transferimin e tij. Situata e mërziti aq shumë sa ai vendosi të merrte një qëndrim të fortë: ose transferimi te Milani, ose largimi. Në këtë betejë, ai triumfoi dhe përfundoi te Milanello.
Megjithatë, fati i keq e goditi në stërvitje, kur u dëmtua pas një dueli me Santiago Gimenez, duke mbetur jashtë për dy muaj.
Ishte fillimi i sezonit dhe një goditje e madhe për të. Kur u rikthye, Allegri filloi ta lavdëronte publikisht: “Djali ka shumë talent, do ta shihni sapo të fillojë të luajë disa minuta”, tha Allegri.
Investim që po fillon të japë fryte
Askush nuk ka dyshuar kurrë për talentin e Ardonit. Vetë investimi e tregon këtë – 34 milionë euro plus 3 milionë euro bonuse – transferimi i dytë më i madh i verës pas Christopher Nkunku.
Jashari kombinon punën delikate me këmbët me vendosmërinë konkurruese. Ai mund të bëjë pasime të bukura si ajo për Leaon dhe njëkohësisht të rikuperojë topin. Ai thjesht duhet të vazhdojë të përmirësohet duke vëzhguar Modricin, mjeshtrin e tij.
“Jemi me fat që e kemi me ne dhe djemtë duhet ta shfrytëzojnë sa më shumë këtë kohë krah tij”, tha Allegri për Lukën pas ndeshjes me Pisan.
Jashari e di këtë dhe po e bën. Pasimi i tij në stilin Modriq tregon se investimi po fillon të japë fryte.
Jashari, lojtari i ndeshjes Milan – Como
Përgjatë ndeshjes, ai ishte aktiv si në sulm, ashtu edhe në mbrojtje. Ai bëri gjithsej 60 pasime dhe fitoi dy duele, duke marrë 56.6% të votave nga tifozët për lojtarin më të mirë, duke lënë pas Rafael Leaon, Davide Bartesaghin dhe Fikayo Tomorin.
Ardon Jashari po tregon se është një element kyç për Milanin dhe se investimi i klubit po fillon të japë rezultatet e dëshiruara. /Telegrafi/