Policia e Shtetit ka bërë të ditur se ka arrestuar një 55-vjerçar pasi i njëjti ushtroi dhunë ndaj bashkëshortes dhe vajzës së tij dhe më pas u vetëplagos me thikë.
Policia njofton se ngjarja ka ndodhur në Qerret, Durrës, ndërsa në cilësinë e provës materiale është sekuestruar thika.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin A.V., 55 vjeç, banues në Qerret, Durrës.
Ky shtetas, rreth orës 19:00, të datës 13.02.2026, në banesën e tyre në fshatin Qerret, Durrës, pas një konflikti për motive të dobëta, ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij, shtetases A.V., 42 vjeçe, dhe më pas ka kërcënuar edhe vajzën e tij, e cila ka ndërhyrë për të parandaluar përshkallëzimin e dhunës dhe ka lajmëruar Policinë”, thuhet në raport.
Shtetasi A.V., pas konfliktit me bashkëshorten, është vetëdëmtuar me një mjet prerës në pjesën e qafës.
Ai ka marrë mjekim në Spitalin Rajonal Durrës, pa probleme serioze për shëndetin.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprime të mëtejshme. /Telegrafi/