Prokuroria Themelore në Prizren ka bërë të ditur se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prizren, pas pranimit të informatave publike lidhur me procesin e rinumërimit të rezultateve të votimit, në Qendrën Komunale të Numërimit në Suharekë, me autorizim të Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, ka iniciuar hetime me vetiniciativë.
Sipas njoftimit për media thuhet se pas autorizimit nga Prokuroria dhe në kuadër të këtij hetimi, janë intervistuar 72 të dyshuar.
“19 prej tyre pas intervistimit në polici, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar për 48 orë, në cilësinë e kryesuesve të komisioneve, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale ‘Falsifikimi i rezultateve të votimit’ nga neni 216 par.2 të KPRK-së. Prokuroria Themelore në Prizren, brenda afateve ligjore, do të vlerësojë parashtrimin e kërkesës lidhur me caktimin e masës për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë”, thuhet në njoftim.
Prokuroria Themelore në Prizren dhe Policia e Kosovës mbeten të përkushtuara në mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe të drejtës së votës së qytetarëve, në luftën kundër veprave penale që cenojnë zgjedhjet e lira dhe demokratike, si dhe në forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që veprojnë në kundërshtim me ligjin. /Telegrafi/