Banorët e fshatit Koliq kanë protestuar pranë trafos së fshatit për shkak të ndërprerjeve të shpeshta të energjisë elektrike, me të cilat, sipas tyre, po përballen prej vitesh.
Ata kanë theksuar se këto ndërprerje po u shkaktojnë dëme të konsiderueshme në amvisëri, biznese dhe në shkollën e fshatit.
Kryetari i fshatit Koliq, Bedri Hajzeri, tha se banorët kanë adresuar vazhdimisht kërkesa tek institucionet përgjegjëse dhe kompania KEDS, por pa marrë ndonjë përgjigje apo zgjidhje konkrete.
“Kemi bërë disa herë kërkesa dhe i kemi përsëritur ato tek KEDS, por deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë veprim për furnizim të rregullt me energji elektrike. Ky problem nuk është vetëm i Koliqit, por i gjithë rajonit të Gollakut. Sa herë që organizohemi dhe kërkojmë zgjidhje, nuk marrim asnjë përgjigje”, tha Hajzeri.
Ai shtoi se rrjeti aktual elektrik nuk e përballon zhvillimin e fshatit, pasi janë ndërtuar shumë shtëpi dhe vila të reja, ndërsa infrastruktura ekzistuese është e vjetruar.
“Rrjeti elektrik, duke përfshirë shtyllat, kabllot dhe trafon, nuk ka kapacitet të mjaftueshëm. Kemi pasur raste kur rryma ka qenë aq e dobët sa ndriçonte vetëm një llambë e vogël, duke rrezikuar djegien e pajisjeve dhe madje edhe të shtëpive. Kemi pasur dëme të mëdha në pajisje shtëpiake si televizorë dhe frigoriferë”, theksoi ai.
Hajzeri bëri të ditur se ndërprerjet e energjisë po ndikojnë edhe në procesin mësimor, pasi shkolla e fshatit ngrohet me pelet dhe funksionon me energji elektrike, çka detyron ndërprerjen e mësimit sa herë që ndalet rryma.
Ai kërkoi nga institucionet përgjegjëse që të ndërhyjnë urgjentisht në rrjetin elektrik, duke zëvendësuar shtyllat e vjetra, kabllot dhe, aty ku është e nevojshme, edhe trafon me kapacitet më të madh./Telegrafi/