Një 61-vjeçare nga Kanadaja ka thyer rekordin e saj botëror, duke qëndruar për pesë orë në pozicionin plank, gjatë Lojërave Botërore për Seniorë Huntsman, të mbajtura në Utah të SHBA-së.
DonnaJean Wilde realizoi sfidën gjatë ceremonisë së hapjes së këtij aktiviteti sportiv, i cili u kushtohet arritjeve të sportistëve mbi moshën 50-vjeçare, transmeton Telegrafi.
Wilde qëndroi në pozicionin plank për pesë orë, duke tejkaluar rekordin e saj të mëparshëm prej katër orësh, 30 minutash e 11 sekondash, të vendosur në vitin 2024.
Sipas organizatorëve, sfida e saj u zhvillua më 6 tetor dhe përfundoi pasi ajo arriti kufirin prej pesë orësh. Megjithatë, rekordi i ri ende duhet të shqyrtohet dhe të miratohet zyrtarisht nga Guinness World Records.
Drejtori ekzekutiv i Lojërave Botërore për Seniorë Huntsman, Kyle Case, tha se arritja e Wilde përfaqëson frymën e këtij aktiviteti.
“Është një mënyrë për të njohur aftësitë që ke sot dhe për të kuptuar se nuk duhet të ndalesh, por mund të vazhdosh të bësh gjërat që të pëlqejnë”, tha Case për televizionin KSL-TV.
Ai shtoi se sporti është vetëm një nga shumë aktivitetet që njerëzit mund të vazhdojnë t’i shijojnë edhe me kalimin e moshës.
Lojërat Botërore për Seniorë Huntsman mbledhin pjesëmarrës nga mosha 50-vjeçare e lart dhe synojnë të promovojnë aktivitetin fizik, shëndetin dhe një jetë aktive në çdo moshë. /Telegrafi/