Kevin De Bruyne ka folur për akuzat ndaj Manchester Cityt dhe për mundësinë që klubi të humbasë tituj.
Belgu tha se ndjenjat e tij ndaj klubit nuk kanë ndryshuar kurrë. “Mënyra si ndihem vjen nga mënyra si më ka trajtuar ky klubi dhe nga ajo që kam bërë unë me të,” tha ai. “Jam krenar për gjithçka që kam arritur si futbollist. Manchester City, ky është klubi im!”
Ai foli edhe për pronarët e klubit. “I dua pronarët. Kemi folur për shumë gjëra jashtë futbollit, madje i kam kërkuar Khaldoonit si blihet një klub,” tha ai dhe shtoi se ndien vetëm dashuri për klubin, e cila “nuk do të ndryshojë kurrë”.
Ai kujtoi gjithashtu njerëzit që e kanë trajtuar “në mënyrë të jashtëzakonshme” për 10 vjet, bashkë me familjen e tij.
Për mundësinë që Cityt t’i hiqen trofetë, De Bruyne tha se kjo nuk ia ndryshon pikëpamjen. “Futbolli im nuk ka ndryshuar. Në jetë ka rregulla, por të gjithë luajnë në kufi. Unë luajta mes vijave të bardha dhe u përballa me lojtarë të tjerë,” tha ai.
Gjëja që ai e çmon më shumë janë marrëdhëniet me të gjithë ata me të cilët ka punuar. “Kam dhënë gjithçka dhe nuk mendoj se shumë njerëz do ta ndryshonin mendimin se si më shohin si lojtar apo si luajtëm ne te City,” tha ai.
Një panel i pavarur e ka shpallur Manchester Cityn fajtor për të gjitha akuzat financiare pas një seance dëgjimore tetë-javore. Raportimet flasin për fajësi në 114 nga 115 akuza dhe pritet që klubi të ankimojë.
Akuzat lidhen me periudhën 2009-2018, kur City fitoi katër tituj të ligës. Sanksionet ende nuk janë përcaktuar. Mediat raportojnë se mes tyre mund të jetë edhe heqja e titujve. Ish-lojtari i Liverpoolit, Jamie Carragher, ka kërkuar që klubit t’i hiqen titujt e fituar në vitet e shkeljeve.
De Bruyne e la City-n pas 10 vitesh. Ai është kampion gjashtëfish i Premier League-s me klubin./IndeksOnline/

