Radja Nainggolan ka zbuluar disa prapaskena interesante rreth vendimit të Romelu Lukakut për t'i dhënë fund karrierës me Kombëtaren e Belgjikës, duke lënë të kuptohet se pas këtij vendimi fshihen probleme që ende nuk janë bërë publike.
Ish-futbollisti belg ka treguar se kishte zhvilluar një bisedë rreth njëorëshe me Lukakun pas pensionimit të tij nga përfaqësuesja belge. Sipas Nainggolanit, sulmuesi i kishte thënë se diçka e madhe pritej të shpërthente, duke iu referuar problemeve që kishte pasur prapa skenave me një person të caktuar.
“Ai më tha se mund të zbuloja vetëm që një bombë ishte gati të shpërthente. Kishte probleme prapa skenave mes tij dhe një personi të caktuar. Nuk dua të them më shumë, sepse i takon Romelut të flasë vetë për këtë”, deklaroi Nainggolan.
Ai shtoi se Lukaku ishte ndier i hidhëruar, i zhgënjyer dhe i frustruar nga shumë gjëra, duke paralajmëruar se së shpejti mund të mësohet më shumë rreth arsyeve të vërteta që qëndrojnë pas këtij vendimi./Klankosova.tv

