Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka bërë të ditur se brenda kësaj jave do të procedohet në Kuvendin e Kosovës nisma e re ligjore për Dhomat e Specializuara.
Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Çitaku tha se ekspertët janë duke bërë ndërhyrjet e fundit në draft dhe se pret që versioni i parë t'u dorëzohet gjatë ditës.
Ajo theksoi se kjo nismë tashmë nuk është vetëm e PDK-së, por ka edhe vulën e institucioneve të Kosovës.
“Dua t'ju njoftoj që brenda kësaj javë do të procedohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës nismën e re ligjore për Dhomat e Specializuar. Është shumë e rëndësishme që tashmë kjo nismë nuk është vetëm nismë e PDK por tashmë kjo nismë ka vulën e institucioneve të Kosovës. Ekspertët janë duke bërë ndërhyrjet e fundit unë po besoj qe sot do ta pranojmë një draft të parë, brenda javës do ta procedojmë si nismë ligjore ne Kuvendin e Kosovës”, ka deklaruar ajo.
Çitaku tha se qëllimi është që përmes instrumenteve ligjore të institucioneve të Kosovës të mbrohet lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Ajo bëri thirrje për unitet politik, qytetar dhe kombëtar rreth kësaj çështjeje, duke theksuar se, pavarësisht dallimeve politike, UÇK-ja duhet të jetë vlerë që i bashkon.

