Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut gjatë javës së kaluar ka realizuar gjithsej 166 inspektime të rregullta në tregun e brendshëm dhe në zonat doganore.
Sipas njoftimit, nga këto inspektime, 74 lëndë janë përmbyllur, ndërsa 92 kanë mbetur në procedurë, për shkak të kërkesës për dokumentacion shtesë apo eliminimit të parregullsive të konstatuara, transmeton IndeksOnline.
Bëhet e ditur se inspektimet janë realizuar në disa fusha të mbikëqyrjes së tregut, përkatësisht: 81 në fushën e konsumit të përgjithshëm, 38 në sigurinë e përgjithshme të produkteve, 28 në mbikëqyrjen e naftës dhe derivateve të saj, 12 në kuadër të Komisionit për Kushtet Minimale-Teknike dhe 7 në fushën e mbikëqyrjes metrologjike.
Gjatë kësaj periudhe, inspektorët e tregut kanë shqiptuar gjithsej 24 gjoba për shkelje të ndryshme ligjore, përfshirë 7 gjoba për mospërputhje të çmimeve, 6 për mungesë të faturave të prejardhjes së produkteve, 3 për shkelje në shitjet online, 3 për mosrespektim të orarit të punës, 2 për mungesë të çmimoreve dhe gjoba të tjera për parregullsi të konstatuara. Po ashtu, janë mbyllur 7 lokale për mungesë të dokumentacionit përkatës.
Në kuadër të mbikëqyrjes së tregtisë online, janë realizuar 22 inspektime.
Gjithashtu, janë kryer kontrolle për verifikimin e peshoreve në furra të bukës dhe mishtore, si dhe inspektime në sektorin e produkteve elektronike dhe të derivateve të naftës.
Gjatë kontrolleve janë realizuar edhe tri sekuestrime të produkteve pa dokumentacion të prejardhjes, ndërsa disa produkte të tjera janë ndaluar për shitje deri në prezantimin e dokumentacionit.
“IQMT ka zhvilluar gjithashtu 26 inspektime të përbashkëta me Policinë e Kosovës, ATK-në dhe IQP-në, lidhur me ofruesit e shërbimeve të masazhit dhe lokalet e natës, si dhe 4 inspektime të përbashkëta me Inspektoratin Farmaceutik për mbikëqyrjen e çmimeve të barnave”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, gjatë javës së fundit nga IQMT janë trajtuar me sukses 30 ankesa të konsumatorëve, të pranuara përmes Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorëve.

