KORREKT / SOT18 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Sport

FFK organizon punëtorinë e FIFA-s për identifikimin dhe zhvillimin e talenteve

FFK organizon punëtorinë e FIFA-s për identifikimin dhe zhvillimin e talenteve

Federata e Futbollit e Kosovës, në bashkëpunim me FIFA-n, ka organizuar punëtorinë treditore në kuadër të programit FIFA Talent Development Scheme, me fokus identifikimin, vlerësimin dhe zhvillimin e futbollistëve të rinj.

Punëtoria, e cila po mbahet nga 17 deri më 19 nëntor, synon të krijojë një qasje të përbashkët dhe të strukturuar për identifikimin e talenteve, analizën përmes videos, hartimin e planeve individuale të zhvillimit të futbollistëve (IDP), si dhe përcaktimin e profileve të lojtarëve që Kosova synon t’i zhvillojë në të ardhmen.

Pas ditës së parë, e cila iu kushtua praktikave të mira të klubit holandez FC Groningen, vëmendja sot është përqendruar në përvojat ndërkombëtare, konceptin e futbollistit të së ardhmes dhe ndërtimin e profileve të lojtarëve.

Përmes prezantimeve dhe punës në grupe, pjesëmarrësit kanë trajtuar identitetin e futbollit, cilësitë kryesore që duhet t’i karakterizojnë futbollistët dhe mënyrat e identifikimit të tyre. Po ashtu, janë shqyrtuar kërkesat në zhvillim të futbollit ndërkombëtar në aspektin teknik, taktik, fizik, kognitiv dhe psikosocial.

Një pjesë e veçantë e programit i është kushtuar përcaktimit të 5-6 cilësive prioritare që duhet t’i karakterizojnë futbollistët e së ardhmes së Kosovës, si dhe sjelljeve konkrete që mund të vëzhgohen dhe vlerësohen në grupmosha të ndryshme.

Punëtoria po udhëhiqet nga ekspertë ndërkombëtarë, përfshirë Mirelle van Rijbroek, e cila po kontribuon online, Andy Gould dhe Arnar Vidarsson, në bashkëpunim me përfaqësuesit e FIFA-s dhe stafit të FFK-së.

Dita e tretë e punëtorisë do t’i kushtohet ndërtimit të modelit kombëtar të lojës, harmonizimit të parimeve të lojës me profilet e futbollistëve dhe integrimit të këtyre proceseve në një strategji të përbashkët të identifikimit dhe zhvillimit të talenteve.

Një nga rezultatet kryesore të punëtorisë pritet të jetë hartimi i udhërrëfyesit strategjik të FFK-së për vitin 2027, me objektiva, përgjegjësi dhe afate konkrete për zhvillimin e tri shtyllave kryesore: profilet kombëtare të futbollistëve, modeli i lojës për ekipet kombëtare të grupmoshave dhe strategjia kombëtare për identifikimin e talenteve.

Përmes kësaj nisme, FFK synon të ndërtojë një sistem më të koordinuar dhe afatgjatë, duke lidhur identifikimin e hershëm të talenteve me zhvillimin e tyre dhe përgatitjen për nivelet më të larta të futbollit.

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.