Një oficer i ushtrisë amerikane, i arrestuar në Mbretërinë e Bashkuar nën dyshimet për spiunazh në favor të Rusisë, është marrë në paraburgim nga ushtria amerikane, kanë bërë të ditur autoritetet britanike kundër terrorizmit.
Ushtaraku 41-vjeçar, me gradë të lartë, ishte arrestuar javën e kaluar në afërsi të Gloucesterit nga policia britanike kundër terrorizmit.
Sipas BBC-së, ai ishte i vendosur në kazermat Imjin, në Innsworth të Gloucestershire-it, ku ndodhet selia e Korpusit të Reagimit të Shpejtë Aleat të NATO-s (ARRC).
Policia britanike kundër terrorizmit njoftoi se oficeri tashmë është marrë në paraburgim nga ushtria amerikane, për shkak të dyshimeve lidhur me sigurinë kombëtare dhe spiunazhin.
Ndihmëskomisioneri Laurence Taylor, drejtues i Policisë Kundër Terrorizmit, tha se më pas ishte marrë vendimi që hetimi t'u kalonte partnerëve amerikanë për të vazhduar procedurat.
"Këto janë akuza jashtëzakonisht serioze dhe reagimi ynë i përbashkët duhet të dërgojë një mesazh të qartë se do të veprojmë shpejt dhe me vendosmëri kur dyshojmë për aktivitete të tilla spiunazhi", deklaroi Taylor.

