Talenti i Kombëtares së Gjermanisë me prejardhje shqiptare, Brajan Gruda, ka pushtuar faqet e para të mediave evropiane, përfshirë gjigantin spanjoll Marca, pas paraqitjes së tij spektakolare në fitoren historike 5-0 të Gjermanisë ndaj Holandës së drejtuar nga Xavi Hernández.
22-vjeçari, kartoni i të cilit zotërohet nga Brighton, por që luan si i huazuar te RB Leipzig, shënoi një gol dhe dhuroi dy asiste në këtë përballje, duke i shkaktuar “Tulipanëve” humbjen më të rëndë në 67 vitet e fundit.
Paraqitja e tij brilante nuk është rastësi, pasi Gruda është një nga dhjetë talentet e rinj të përzgjedhur personalisht nga Lionel Messi si më premtuesit në futbollin botëror. Madje, argjentinasi i ka dhuruar atij edicionin tejet të limituar të këpucëve “F50 Messi El Último Tango”, të prodhuara në vetëm 208 palë në mbarë botën.
“Jam një admirues i madh i Messit. Ai është lojtari më i mirë i të gjitha kohërave. Të zgjidhesh prej tij nuk është barrë, por një burim i madh motivimi”, ka deklaruar Gruda.
Lëvdata të mëdha për të kanë ardhur edhe nga legjenda gjermane, Bastian Schweinsteiger: “Është ëndërr të kesh në ekip lojtarë si Wirtz, Scherhant apo Gruda. Ata bëjnë diferencën. Ky i fundit është lojtar i klasit botëror”.
Shkëlqimi i Grudës ka ndezur edhe garën në merkaton e transferimeve. RB Leipzig ka opsionin për ta blerë përfundimisht kartonin e tij nga Brighton në vitin 2027 për 30 milionë euro, mirëpo në garë të fortë është futur edhe gjiganti Bayern Munich, i cili e ndjek prej kohësh futbollistin. /IndeksOnline/

