Boksieri shqiptar, Ardian Krasniqi, ka shënuar një tjetër fitore të rëndësishme në karrierën e tij, duke mposhtur me nokaut boksierin Ricardo Guarapana në meçin e zhvilluar në Stuttgart të Gjermanisë.
Pas triumfit, Krasniqi ka ndarë një mesazh emocionues, duke falënderuar të gjithë njerëzit që kanë qenë pranë tij, shkruan Indeksonline
“Një falënderim nga zemra për ekipin tim, veçanërisht për babain tim, Agimin, që ka dhënë gjithçka që unë të jem këtu ku jam sot. Xhaxhain tim, Luanin, udhërrëfyesin tim, pa të cilin kjo histori nuk do të ekzistonte, dhe trajnerin tim, Rustam Rahimov, që me përvojën e tij do të më bëjë kampion bote”, ka shkruar Krasniqi.
Ai nuk i ka harruar as tifozët, të cilët i ka falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme dhe emocionet që ndajnë në çdo paraqitje të tij.
“Faleminderit të gjithë tifozëve që vuajnë, gëzohen dhe përjetojnë çdo sekondë bashkë me ne!”, ka përfunduar boksieri.
Me këtë fitore me nokaut, Krasniqi vazhdon rrugëtimin e tij në boksin profesionist, me synimin për të arritur majat e këtij sporti./Indeksonline/

