Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar sot, në mbledhjen e saj të 11-të, Projektligjin kundër dukurive negative në sport, një nismë që synon të vendosë rregulla të qarta dhe sanksione ndaj dhunës dhe parregullsive në arenat sportive.
Ky dokument ligjor obligon të gjitha strukturat sportive në vend që të zbatojnë rregulla strikte për parandalimin, luftimin dhe sanksionimin e dhunës, si dhe të garantojnë standarde të larta të rendit, sigurisë dhe shërbimeve gjatë organizimit dhe zhvillimit të ngjarjeve sportive, shkruan IndeksOnline.
Përmes këtij projektligji përcaktohen qartë përgjegjësitë dhe mekanizmat institucionalë për adresimin e dukurive negative, duke synuar forcimin e sigurisë, integritetit dhe përgjegjësisë në organizimin e aktiviteteve sportive, në përputhje me standardet ndërkombëtare.

