Kthimi i rasteve të korrupsionit në rigjykim, sipas prokurorit Naim Abazi, ndonëse në disa raste është i domosdoshëm për të siguruar një gjykim të drejtë, mund të sjellë pasoja, si zgjatjen e proceseve, dëmtimin e provave dhe rrezikun e parashkrimit të veprave penale.
Abazi thotë se në praktikë ka pasur raste kur procedurat gjyqësore nuk kanë përfunduar me një vendim përfundimtar, por janë mbyllur për shkak të parashkrimit.
“Ka pasur raste në praktikë kur nuk kemi pasur një vendim përfundimtar lidhur me procesin gjyqësor, por raste që kanë përfunduar për shkak të parashkrimit. Një tjetër rrezik është edhe dëmtimi i provave në një proces të stërzgjatur”, ka thënë Abazi.
Ai shton se probleme mund të paraqiten edhe me dëshmitarët në këto procese.
“Mund të ndodhë që një dëshmitar ta ketë ndërruar vendbanimin dhe të mos gjendet më lehtë, apo ta ndryshojë deklaratën e tij për shkak të kohës. Edhe provat materiale mund të mos e kenë më të njëjtën rëndësi që e kanë pasur në fillim të shqyrtimit gjyqësor”, ka thënë Abazi.
Ai thekson se një nga pasojat kryesore të rigjykimeve është zgjatja e kohës së përfundimit të rasteve.
“Një gjykim nuk është i njëjtë nëse përfundon brenda një viti apo pas pesë-gjashtë vjetësh. Kjo ka pasoja shumë të rënda, sepse ndikon te dëshmitarët dhe te provat materiale, pasi gjatë rigjykimit duhet të përsëriten edhe njëherë provat, qofshin ato personale apo materiale, dhe natyrisht që kjo do të thotë se ka pasoja shumë të mëdha. Çështja tjetër është edhe rreziku i parashkrimit”, ka deklaruar ai.
Për më shumë, ndiqeni hulumtimin “Rastet e korrupsionit: Luftë mes gjykatave”, i cili transmetohet në T7, platformat online të “Betimi për Drejtësi”.

