Kthimi i shpeshtë i rasteve të korrupsionit në rigjykim, sipas prokurorit Naim Abazi, mund të krijojë te qytetarët një perceptim të gabuar për sistemin e drejtësisë.
Sipas tij, kthimet e shpeshta në rigjykim krijojnë perceptimin te qytetarët se ndëshkueshmëria për rastet e korrupsionit nuk është në nivelin e duhur.
“Po, duhet ta pranojmë një fakt që çështja e rasteve të kthyera në rigjykim, domethënë, krijon një perceptim te vetë qytetarët se ndëshkueshmëria për rastet e korrupsionit nuk është në nivelin e duhur”, tha Abazi.
Ai tutje tha se kthimi i rasteve në rigjykim nuk do të thotë patjetër se këto raste kanë marrë një epilog.
“Pavarësisht kësaj, domethënë, edhe njëherë po potencoj, do të duhej të kemi parasysh se rastet e kthyera në rigjykim nuk do të thotë që patjetër këto raste kanë marrë një epilog. Domethënë, as nuk duhet të konsiderohet se kemi fajësi ose pafajësi për një proces të caktuar. Megjithatë, përsëritja e këtyre rasteve në procese gjyqësore dhe në rigjykime krijon një perceptim të gabuar. Ajo që është me rëndësi të përmendet është se gjithmonë duhet të kemi parasysh që ndikimi i këtyre rasteve ndikon edhe në perceptimin e qytetarëve për sistemin e drejtësisë”, deklaroi Abazi në “Rastet e korrupsionit: Luftë mes gjykatave”.
Ai më tej shtoi se procesi gjyqësor duhet të përfundojë brenda një kohe të arsyeshme, megjithatë ka raste kur përfundon pas shumë vitesh.
“Konkretisht, domethënë, sidomos në rastet kur kemi të bëjmë me trajtimin e veprave penale ose të rasteve me profil të lartë, procesi gjyqësor do të duhej të përfundonte brenda një kohe të caktuar, në një kohë të arsyeshme, ndërsa ai përfundon pas shumë vitesh”, tha Abazi.
Abazi thotë se ky realitet i zgjatjes së procesit ndikon te qytetarët, pasi ata presin që procesi gjyqësor të përfundojë sa më shpejt. Sipas tij, qytetarët mund të kenë njohuri për një gjykim që ka marrë epilog brenda një viti, por në realitet ai nuk ka përfunduar, pasi çështja është kthyer në rigjykim dhe mund të marrë epilog vetëm pas pesë apo gjashtë vjetësh.
Për të zvogëluar kthimin e përsëritur të rasteve në rigjykim, gjyqtari i Gjykatës Supreme, Agim Maliqi, thekson rëndësinë e mbledhjes së plotë të provave gjatë hetimeve.
“Gjykata e instancës së parë duhet t’i shtjellojë të gjitha provat që i prezantohen, ndërsa edhe prokurori i shtetit ka një obligim ligjor në mbledhjen e provave gjatë fazës së hetimeve, në mënyrë që shqyrtimi gjyqësor të mos shndërrohet në një shtesë të hetimeve që bëhen nga ana e gjykatave”, tha Maliqi.
Maliqi tutje thotë se edhe Gjykata e Apelit, si gjykatë e instancës së dytë, duhet gjithmonë ta shfrytëzojë mundësinë që, nëse ka dilema rreth gjendjes faktike, vetë të nxjerrë prova dhe të marrë vendim, qoftë për ndryshimin e aktgjykimit, lirimin nga akuzat apo ndryshimin e kualifikimit ligjor, në mënyrë që të reduktohet në masë të konsiderueshme kthimi i çështjeve në rigjykim.

