Carlos Espí ka treguar se përpara transferimit te Real Madridi kishte alternativa nga futbolli anglez, por nuk hezitoi kur mori ofertën e klubit madrilen.
Sulmuesi spanjoll, i cili u transferua nga Levante, pranoi se gjithçka ndodhi në një kohë shumë të shkurtër dhe se ende po përpiqet të përjetojë ndryshimin e madh në karrierën e tij.
“Gjithçka që më ka ndodhur është e pabesueshme. Askush nuk e priste, madje as familja ime. Tani duhet të vazhdoj të punoj”, deklaroi 21-vjeçari në emisionin radiofonik “El Larguero”.
Espí shprehu admirimin për José Mourinhon, duke vlerësuar mënyrën se si trajneri portugez komunikon me lojtarët dhe kujdeset për zhvillimin e tyre. “Mourinho më thotë se duhet të jem i durueshëm, të shfrytëzoj çdo minutë dhe çdo mundësi. Kjo arrihet përmes punës së përditshme. Çdo minutë që më jep ai është ar”, theksoi sulmuesi.
Ai nuk i kurseu elozhet as për Mbappen, me të cilin stërvitet çdo ditë në Madrid.
“Kylian Mbappe është një lojtar i jashtëzakonshëm. Përpiqem të mësoj prej tij në çdo stërvitje dhe nga këshillat e tij. Është më i miri në botë dhe, sipas mendimit tim, e meritonte Topin e Artë”, përfundoi Espí. /Zëri

