Dy persona janë qëlluar dhe plagosur nga agjentë federalë në Oregon – një ditë pasi një grua u vra nga një agjent i ICE në Minneapolis.
Incidenti i fundit ndodhi në Portland.
Një burrë dhe një grua u dërguan në spital me plagë nga armë zjarri dhe gjendja e tyre është e paqartë në këtë fazë.
Shefi i policisë, Bob Day, tha: “Ne e kuptojmë emocionin dhe tensionin e shtuar që shumë njerëz po ndiejnë pas të shtënave në Minneapolis, por po i kërkoj komunitetit të ruajë qetësinë ndërsa përpiqemi të mësojmë më shumë.”
Sipas Departamentit të Sigurisë Kombëtare, agjentët e Patrullës Kufitare po kryenin një “ndalim të synuar automjetesh” në atë kohë.
Një postim në X pretendonte se “shoferi e kishte armatosur automjetin e tij dhe ishte përpjekur të shtypte agjentët e zbatimit të ligjit” – duke bërë që njëri prej tyre të qëllonte në mënyrë mbrojtëse.
Deklarata vazhdoi duke pretenduar se shoferi besohet të jetë anëtar i një bande “të egër” venezueliane, ndërsa pasagjerja ka qenë e lidhur me një rrjet prostitucioni.
Kryebashkiaku i Portlandit, Keith Wilson, tha se qyteti i tij po përballet me dhunë nga agjentët federalë dhe se “nuk mund të rrimë duarkryq ndërsa mbrojtjet kushtetuese përkeqësohen dhe gjakderdhja rritet”.
Ndryshe, kjo vjen një ditë pasi një agjent i Imigracionit dhe Doganave qëlloi për vdekje një 37-vjeçare në Minneapolis, duke shkaktuar dënim nga zyrtarët lokalë dhe protesta të përhapura në Minesota dhe më gjerë.
Renee Good u qëllua në kokë nga afër ndërsa përpiqej të largohej me veturë në një rrugë me borë, por Donald Trump dhe të tjerë në administratën e tij kanë pohuar se veprimet e agjentit ishin në vetëmbrojtje.
Rruga me borë ku Renee Nicole Good u qëllua dhe u vra nga një oficer i imigracionit tani është bërë një memorial për të. /Telegrafi/