Nga: Vahid Beheshti, gazetar, aktivist politik dhe themelues i Frontit Iranian për Ringjalljen e Ligjit dhe Sovranitetit Kombëtar / The Independent
Përkthimi: Telegrafi.com
Aktualisht, qindra mijëra iranianë në mbarë vendin po rrezikojnë gjithçka duke dalë në rrugë.
Qëkur protestat kundër qeverisë nisën me një grevë nga tregtarët në Pazarin e Madh të Teheranit, më 28 dhjetor, trazirat janë përhapur në më shumë se 280 vende. Kjo tashmë është sfida më e madhe – ndër vite – ndaj regjimit klerikal të vendit, dhe nuk ka shenja se do të ndalet.
Përplasjet e dhunshme me forcat e sigurisë kanë çuar në djegien e ndërtesave qeveritare dhe në sulme ndaj statujave të figurave autoritare të regjimit islamik. Gazi lotsjellës është përdorur për të shpërndarë protestat – madje edhe brenda një spitali.
Dhjetëra vetë kanë vdekur tashmë dhe mbi një mijë e dyqind protestues janë arrestuar. Por, populli trim i Iranit e ka ndier mundësinë për të ndryshuar rrjedhën e historisë. Raportohet se në qytetin kurd Abdanan, pjesëtarë e policisë së moralit, me qëndrime të ashpra, kanë hedhur armët duke deklaruar: “Forcat e armatosura janë me popullin”. Ata po përballen me një regjim që po shembet nën peshën e mizorisë së vet pas 47 vjetësh të sundimit brutal teokratik.
Ajo që ka qenë e pamohueshme është qasja e pazakontë e kujdesshme e Teheranit ndaj këtyre protestave të fundit. Sipas standardeve të veta vrastare, përdorimi i dhunës nga shteti ka qenë “i përmbajtur”. Politikanë të nivelit të lartë kanë pranuar, ndonëse me hipokrizi, se protestuesit kanë ankesa të ligjshme. Demonstratat u shkaktuan nga gjendja e rëndë e ekonomisë dhe rënia e valutës vendase, rialit, në nivelin më të ulët historik. Qarkullojnë thashetheme për liderin suprem, i cili prej muajsh është fshehur në një bunker, apo ndoshta ka ikur në Moskë.
Në kundërshtim me vlerësimin e shumë analistëve, kjo nuk është aspak një protestë ekonomike. Është revolucion në shkallë të plotë, me qëllimin e shpërbërjes totale të regjimit të republikës islamike që ka sunduar me grusht të hekurt që nga viti 1979.
Kjo lëvizje është bërë e njohur si “kryengritja përfundimtare”, e cila e dallon atë nga protestat e mëparshme. Nuk ka udhëheqës të vetëm të dukshëm, çka e bën shumë më të vështirë për regjimin që ta shtypë. Është organike, e rrënjosur në komunitetet lokale dhe përhapet si vërshim.
Si një nga vendet më të pasura me burime natyrore në botë, Irani duhej të ishte në lulëzim. Në vend të kësaj, mbi 70 përqind e popullsisë jeton nën kufirin e varfërisë. Një civilizim me mijëra vjet trashëgimi kulturore, një popull që i ofroi botës një nga modelet më të hershme dhe më njerëzore të qeverisjes nën sundimin e Kirit të Madh, është reduktuar në kërkime për mbijetesë nëpër kazanë plehrash. Nuk u ka mbetur asnjë alternativë tjetër, veçse të marrin një qëndrim.
Unë nuk kisha zgjidhje tjetër, pos të ikja nga atdheu im. Isha 13 vjeç kur për herë të parë isha politikisht aktiv në Iran. Në moshën 20-vjeçare më arrestuan dy herë. Pastaj erdhi çasti kur kuptova se regjimi donte të më eliminonte. Disa anëtarë të familjes sime u arrestuan dhe u vranë, ndërsa miku im i ngushtë, Ruhollah Zam, u rrëmbye, u transferua në Iran dhe u ekzekutua brutalisht.
Luftën për të përmbysur regjimin islamik nuk do ta braktis kurrë. Prej gati tre vjetësh jam përpara Ministrisë së Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, në përpjekje për të përqendruar vëmendjen e qeverisë britanike mbi këtë shtet të rrezikshëm dhe për ta detyruar të ndërmarrë veprime.
Tashmë është bërë e qartë se ky revolucion nuk është vetëm për Iranin. Regjimi ka eksportuar një ideologji të dhunshme, ekstremiste dhe antisemitike përtej kufijve të vet, gjë që gjeti terren edhe në vendet perëndimore. Për këtë jam sulmuar dhe kërcënuar disa herë në Londër.
Për vite me radhë, shumë iranianë kanë besuar se komuniteti ndërkombëtar nuk kujdeset më për të drejtat e njeriut, dhe se vlerat janë flijuar për shkak të interesave. Mesazhet e mbështetjes që kanë ardhur këto ditë nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara – që kanë bërë shumë për ta dobësuar regjimin – kanë ndryshuar diçka të thellë. Njerëzit e zakonshëm në Iran kanë fituar besimin se bota po zgjohet ngadalë nga gjumi dhe po kupton se paqja e qëndrueshme në Lindjen e Mesme dhe më gjerë është e mundur vetëm kur regjimi të jetë përmbysur.
Ajatollah Khamenei mund ta quajë Mbretërinë e Bashkuar “djalli i vogël”, por qytetarët e zakonshëm iranianë e nderojnë këtë vend si zemrën e demokracisë dhe lirisë. Ata janë të habitur nga heshtja e zgjatur e kryeministrit Keir Starmer në momentin e tyre më të nevojshëm.
Heronjtë e Iranit meritojnë dhe kanë nevojë urgjente për mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar. Populli i Iranit po përballet me regjimin me duart bosh. Ata kanë varrosur të vdekurit e tyre dhe kanë mjekuar qindra të plagosur. E, megjithatë, nuk tërhiqen. Janë në zi, por janë të mbushur me forcë dhe guxim, sepse e kuptojnë peshën historike të këtij momenti.
Pa këtë regjim, Irani mund të shndërrohet nga një kërcënim global në një forcë për përparimin e njerëzimit. Historia me siguri do t’i mbajë mend ata që qëndruan në anën e duhur të saj. /Telegrafi/