KORREKT / SOT3 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Ekonomi

Koreja e Jugut dhe Turqia nënshkruajnë marrëveshje financimi, Seuli synon të përfshihet në projektin e centralit bërthamor

Koreja e Jugut dhe Turqia nënshkruajnë marrëveshje financimi, Seuli synon të përfshihet në projektin e centralit bërthamor

Koreja e Jugut dhe Turqia kanë nënshkruar të martën një marrëveshje për të shqyrtuar mundësitë e financimit të projekteve energjetike turke, ndërsa Seuli synon të marrë pjesë në ndërtimin e centralit të dytë bërthamor të Turqisë, i planifikuar në Sinop, në bregdetin e Detit të Zi.

Memorandumi i mirëkuptimit u nënshkrua nga Banka e Eksport-Importit e Koresë së Jugut dhe kompania turke Turkey Nuclear Energy Inc., pas bisedimeve mes presidentit koreano-jugor, Lee Jae Myung, dhe presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan, në Seul.

Sipas Ministrisë turke të Energjisë, të dyja institucionet do të shqyrtojnë mundësitë e financimit dhe do të krijojnë një grup të përbashkët pune për shkëmbimin e informacioneve. Megjithatë, në njoftimin zyrtar nuk u bë e ditur shuma e mundshme e financimit.

Turqia ende nuk ka përzgjedhur partnerin për projektin e centralit bërthamor në Sinop, transmeton Telegrafi.

Presidenti Lee deklaroi se bashkëpunimi për këtë projekt po përparon pa probleme, ndërsa kanë nisur vlerësimet e lokacionit dhe është krijuar një grup i përbashkët pune. Sipas tij, marrëveshja e re e financimit do të mbështesë kompanitë koreano-jugore që synojnë të përfshihen në projektet bërthamore të Turqisë.

Marrëveshja e fundit vjen pas memorandumit për bashkëpunim në fushën bërthamore, të nënshkruar në nëntor të vitit 2025 mes Turkey Nuclear Energy Inc. dhe kompanisë shtetërore koreano-jugore Korea Electric Power Corporation (KEPCO).

Në një intervistë për agjencinë Yonhap, të publikuar të hënën, Erdoğan e përshkroi Korenë e Jugut si një partnere të mundshme për projektin e Sinopit. Ai tha se me KEPCO-n janë realizuar studime paraprake të fizibilitetit, ndërsa vlerësimet teknike dhe ekonomike janë ende në vazhdim.

Sipas tij, para marrjes së vendimit përfundimtar, Ankaraja do të shqyrtojë mënyrat e financimit, kostot e prodhimit të energjisë elektrike dhe përfitimet që projekti mund t’i sjellë ekonomisë turke.

“Po marrim parasysh kontaktet tona me vendet e tjera dhe po shqyrtojmë të gjitha mundësitë, duke u udhëhequr nga interesat tona kombëtare”, deklaroi Erdoğan për Yonhap.

Dy liderët ranë dakord gjithashtu të zgjerojnë bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes, përfshirë prodhimin e përbashkët dhe zhvillimin e teknologjive. Ata diskutuan edhe mundësitë që kompanitë e të dyja vendeve të bashkëpunojnë në tregjet ndërkombëtare.

Sipas zyrës së presidentit koreano-jugor, ky bashkëpunim do të mbështetet në përvojën ekzistuese të dy vendeve në programin e tankut kryesor luftarak turk Altay.

Ndërkohë, marrëveshje të tjera në fushën e energjisë dhe minierave përfshijnë energjinë e ripërtëritshme, hidrogjenin dhe bashkëpunimin për mineralet kritike. Ministria turke e Energjisë bëri të ditur se të dyja vendet do të krijojnë një forum për tranzicionin energjetik, i cili do të mblidhet çdo vit për të shqyrtuar projektet e përbashkëta.

Erdoğan deklaroi se vëllimi i tregtisë mes dy vendeve e ka tejkaluar shifrën prej 11 miliardë dollarësh vitin e kaluar, ndërsa liderët diskutuan mënyrat për të arritur objektivin ekzistues prej 15 miliardë dollarësh.

Sipas zyrës së presidentit të Koresë së Jugut, në bisedime u trajtuan edhe pabarazitë tregtare, kufizimet e importit dhe vonesat në procedurat doganore. Palët ranë dakord që komiteti i përbashkët për marrëveshjen e tregtisë së lirë të ngrihet në nivel ministror, ndërsa nënshkruan edhe një memorandum të veçantë për bashkëpunimin në investime.

Vizita e Erdoğan në Korenë e Jugut është e para që nga viti 2018. Të dy vendet vendosën marrëdhënie diplomatike në vitin 1957, ndërsa në vitin 2012 u shpallën partnerë strategjikë. /Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.