Tifozët e Tenerifes kanë organizuar homazhe prekëse për futbollistin Jesus de Miguel, vdekja e të cilit ka tronditur klubin dhe gjithë komunitetin e futbollit spanjoll.
Porta 9 e stadiumit “Heliodoro Rodríguez López” është shndërruar në një vend përkujtimi, ku tifozët kanë vendosur lule, qirinj, fanella dhe mesazhe emocionuese në nderim të futbollistit që u nda nga jeta shumë herët.
Mesazhet e lëna nga tifozët shprehin dhimbjen për humbjen e një lojtari që ishte bërë pjesë e historisë së klubit dhe që shpresonin ta shihnin edhe për shumë vite me fanellën bardheblu.
Një prej mesazheve që ka tërhequr vëmendjen ishte: “Vazhdo të shënosh gola në parajsë”, një dedikim prekës që përmbledh dashurinë dhe respektin e tifozëve për futbollistin.
Në homazhe morën pjesë tifozë të të gjitha moshave, nga ata që e kanë ndjekur Tenerifen për dekada, deri te të rinjtë që mbanin fanella me emrin e Jesúsit. Breza të ndryshëm u bashkuan në dhimbjen për humbjen e tij.
Në orën 18:00, me thirrjen e federatës së tifozëve, të pranishmit mbajtën një minutë heshtje. Pa brohoritje dhe pa fjalë, ata kujtuan futbollistin, përpara se heshtjen ta pasonin duartrokitjet e gjata në shenjë respekti.
Një letër e vendosur mes luleve përmbante edhe një mesazh tjetër emocionues: “Emri yt do të jetë përgjithmonë i lidhur me atë ngjitje në kategori, me atë ëndërr të përbashkët dhe me një familje Tenerife që sot vajton humbjen tënde”.
“Faleminderit për gjithçka, Demigol. Tifozët e Heliodoros dhe të Tenerifes nuk do të të harrojnë kurrë”, përfundonte dedikimi. /Telegrafi/

