Të hënën, një mjek kujdestar në Spitalin e Vushtrrisë u sulmua fizikisht nga një pacient.
Gazetari korrespodent i Klan Kosova, Urall Boshnjaku, bëri të ditur në emisionin “Ora Shtatë” se përplasja nisi nga një ‘çartje’ momentale e pacientit me mjekun, transmeton Klankosova.tv.
“Pacienti që kishte ardhur për t’u kontrolluar në emergjencën e këtij spitali, kishte ardhur me kërkesën që të kontrollohej nga mjeku në fjalë, i cili ndodhej edhe kujdestar atë ditë. Mirëpo meqë pacienti nuk e kishte gjendjen emergjente dhe nuk kishte nevojë për një trajtim urgjent, i njëjti ishte udhëzuar për hapa të mëtutjeshëm jashtë Emergjencës nga po i njëjti mjek, dhe për faktin që ai nuk e ka trajtuar aty për aty pacientin i cili po kërkonte trajtim urgjent, pacienti ka kaluar në sulm verbal e pastaj edhe në sulm fizik duke e shtyrë atë nga krahu”, u shpreh Boshnjaku në Klan Kosova.
“Për fat të mirë mjeku kujdestar i cili është i moshës 55-56 vjeçare po shoqërohej nga kolegët e tij që ndodheshin në orar të punës, dhe të njëjtin nuk e lejuan sulmin e pacientit ndaj mjekut”, tha gazetari.

