Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë tanimë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj ish-deputetit Gani Geci nën dyshimin për kanosjen e gazetarit Lirim Mehmetaj.
Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, konfirmoi kërkesën dhe tha se seanca dëgjimore pritet të mbahet sot nga ora 13:00.
Seanca pritet të mbahet tek gjyqtari i procedurës paraprake, Albert Haliti.
Prokuroria një ditë më parë njoftoi se Geci u ndalua për 48 orë nën dyshimin për kryerjen e veprës penale ‘’Kanosja’’, nga neni 181 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.Sipas Prokurorisë, dyshimet fillestare janë se i dyshuari Geci ka kanosur gazetarin Mehmetaj për shkak të ushtrimit të detyrës dhe profesionit të tij. Mehmetaj u intervistua si i dëmtuar.
“Në kuadër të veprimeve hetimore, janë intervistuar i dëmtuari L.M., dhe i dyshuari G.G. me qëllim të grumbullimit dhe mbledhjes së informatave relevante lidhur me rastin. Gjithashtu, Prokurori i çështjes ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave dhe sigurimit të provave relevante për zhvillimin e procedurës së mëtejshme./Lajmi.net/

