Një grup britanikësh janë shoqëruar dhe larguar nga një aeroplan i easyJet, pasi refuzuan të ndalonin përdorimin e cigares elektronike gjatë një fluturimi pesëorësh.
Në pamjet e filmuara nga një pasagjere tjetër gjatë fluturimit të kthimit për në Birmingham nga Larnaka e Qipros, shihen tre gra dhe një burrë teksa urdhërohen nga policia të zbresin nga aeroplani, shkruajnë mediat britanike, përcjell Telegrafi.
Ata kishin përdorur vazhdimisht cigaren elektronike, pavarësisht se ekuipazhi u kishte kërkuar “shumë herë” të ndalonin, dhe kishin shpërfillur gjithashtu ankesat e pasagjerëve të tjerë aty pranë.
“Policia po i pret poshtë”, dëgjohet të thotë një anëtar i stafit të easyJet në fillim të videos, para se një oficer të ndërhyjë: “A mund të zbrisni, ju lutem?”.
Polici shton: “Thjesht shkoni në atë drejtim. Do të flasim me ju jashtë”.
Më në fund, pas një vonese të shkurtër, një grua me flokë gri zbret nga aeroplani e ndjekur nga tre të tjerët, ndërsa dhjetëra pasagjerë të tjerë presin me durim në pistë.
Annalise Galstaun, 31 vjeçe, e cila i filmoi pamjet me telefonin e saj, tha se aeroplani u mbajt i bllokuar për më shumë se 20 minuta ndërsa stafi përpiqej të largonte grupin prej katër personash.
Galstaun tregoi gjithashtu se si shumë pasagjerë ishin irrituar nga sjellja e grupit, madje disa fëmijë kishin filluar të qanin.
Një zëdhënës i easyJet tha në lidhje me incidentin e datës 16 shtator: “Fluturimi EZY6610 nga Larnaka në Birmingham më 16 shtator u prit nga policia pas mbërritjes, për shkak të një grupi pasagjerësh që shfaqën sjellje problematike në bord”. /Telegrafi/