Publicisti Veton Surroi ka paraqitur një skicë për një “Platformë konsensuale të Kosovës”, përmes së cilës propozon një qasje të përbashkët institucionale e politike pas aktgjykimit të 16 shtatorit ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. Skica përmban dhjetë pika dhe parashikon veprime për periudhën 2026-2028.
Surroi propozon që Kuvendi i Kosovës të synojë bashkimin e partive parlamentare rreth një politike shtetërore për pasojat juridike, politike dhe shoqërore të aktgjykimit. Sipas tij, qëndrimet e përbashkëta do të duhej të përmblidheshin në një rezolutë të Kuvendit dhe në një plan veprimi.
“Qëndrimet e përbashkëta do të përmblidhen në një Rezolutë të Kuvendit dhe në një Plan veprimi, të cilin do ta zbatojnë institucionet shtetërore në bashkëpunim me partitë e opozitës, duke respektuar pavarësinë e plotë të procesit gjyqësor”, shkruan Surroi, përcjell Telegrafi.
Në pikën e dytë, ai propozon që platforma të mbështetet në parimin se përgjegjësia penale është individuale dhe nuk duhet të shndërrohet në fajësi kolektive të UÇK-së apo të Kosovës.
“Përgjegjësia penale është individuale dhe nuk mund të shndërrohet në fajësi kolektive të UÇK-së, të luftës së drejtë të saj apo të shtetit të Kosovës”, thuhet në skicë.
Surroi përfshin në këtë kuadër edhe të drejtën e të akuzuarve për proces të drejtë dhe përdorim të plotë të mjeteve juridike, si dhe të drejtën e viktimave për njohje, të vërtetë dhe drejtësi.
Ai thekson se aktgjykimi i shkallës së parë mund të kundërshtohet vetëm përmes mjeteve juridike të parapara në kuadrin ligjor të Dhomave të Specializuara, duke përfshirë procedurën e Apelit. Pas shterimit të këtyre mjeteve, Surroi përmend mundësinë e adresimit të shkeljeve eventuale të të drejtave të njeriut para Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, nëse plotësohen kushtet për juridiksion.
Një prej propozimeve të tij lidhet me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës gjatë vitit 2027.
“Anëtarësimi do t’u siguronte qytetarëve të Kosovës qasje në sistemin evropian të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, ndërsa zbatueshmëria e Konventës në secilin rast do të përcaktohej sipas kushteve të saj juridike dhe kohore”, shkruan Surroi.
Në platformë propozohet gjithashtu që Kosova të hapë dialog me Bashkimin Evropian për një udhërrëfyes lidhur me përfundimin e mandatit të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Surroi e vendos si synim politik përmbylljen e këtij procesi deri në fund të vitit 2028, duke e lidhur atë me përfundimin e procedurave gjyqësore, detyrimet ndaj viktimave dhe kërkesat kushtetuese.
Ai propozon edhe një këmbim të ri letrash ndërmjet presidentit të Kosovës dhe përfaqësuesit përkatës të BE-së, duke theksuar se një veprim i tillë nuk do të duhej të ndërhynte në procedurat gjyqësore apo në pavarësinë e trupave gjykues.
Një tjetër pikë e platformës lidhet me Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Surroi propozon që Kosova të kërkojë një proces pasues të shqyrtimit të raportit të vitit 2011 dhe Rezolutës 1782, duke bërë dallim ndërmjet pretendimeve, çështjeve të hetuara, akuzave dhe fakteve të provuara në gjykim.
Në të njëjtën kohë, ai propozon që Kosova të kërkojë nga BE-ja avancimin e shqyrtimit të aplikimit për anëtarësim dhe marrjen e statusit të vendit kandidat, duke e lidhur këtë me reformat demokratike dhe përmbushjen e standardeve evropiane.
Surroi propozon edhe themelimin e një komisioni parlamentar nga pushteti dhe opozita për mbikëqyrjen e zbatimit të planit të veprimit për periudhën 2026-2028. Sipas skicës, komisioni do të bashkëdrejtohej nga përfaqësues të PDK-së dhe LDK-së dhe nuk do të ndërhynte në procedurat gjyqësore apo në strategjitë e ekipeve të mbrojtjes.
Në pikën përmbyllëse, Surroi sqaron se platforma që propozon nuk synon zhbërjen e Dhomave të Specializuara apo ndërhyrjen në aktgjykim.
“Platforma nuk synon zhbërjen e Dhomave të Specializuara, ndërhyrjen në aktgjykim apo mohimin e vuajtjeve të viktimave”, shkruan ai.
Sipas tij, synimi është përdorimi i mjeteve juridike, mbrojtja e të drejtave të qytetarëve të Kosovës, parandalimi i fajësimit kolektiv të UÇK-së dhe Kosovës, si dhe përmbyllja e rregullt dhe kushtetuese e mandatit të një institucioni të përkohshëm. /Telegrafi/