Komuna e Gjilanit ka njoftuar se është nënshkruar kontrata e re për rifillimin e punimeve në hyrje-daljen e qytetit në drejtim të Prishtinës.
Kontrata e re është prezantuar nga nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arianit Sadiku.
Sipas komunës, projekti kishte mbetur i papërfunduar për një periudhë të gjatë, duke shkaktuar vështirësi për banorët e zonës dhe qarkullimin në këtë pjesë të qytetit.
Pas shkëputjes së kontratës së mëparshme dhe ndërprerjes së punimeve, janë evidentuar edhe probleme teknike, për çka është zhvilluar një proces i rishikimit dhe riprojektimit të projektit.
Komuna ka bërë të ditur se me kontratën e re, projektin e rishikuar dhe mbështetjen financiare të Qeverisë së Kosovës, përmes Ministrisë së Infrastrukturës, janë krijuar kushtet për vazhdimin e punimeve dhe përfundimin e këtij segmenti rrugor.
Komuna e Gjilanit ka theksuar se mbetet e përkushtuar për zgjidhjen e projekteve të papërfunduara dhe për përmirësimin e infrastrukturës në shërbim të qytetarëve. /Telegrafi/