Nga “Hyjnesha në Fron” te gruaja, historia dhe identiteti kulturor – Arjetë Miftari Gashi rrëfen për rrugëtimin e saj artistik, kujtesën familjare, ekspozitat jashtë Kosovës dhe veprën që ende e mban vetëm në mendje
Arjetë Miftari Gashi është skulptore dhe artiste, me një rrugëtim të gjatë në art dhe trashëgimi kulturore. Dashuria për krijimin nisi që në fëmijëri, përmes vizatimit dhe dëshirës për t’u dhënë formë ideve me duart e saj.
Formimin artistik e nisi në Shkollën e Mesme të Artit në Pejë, ndërsa studimet universitare dhe masterin i përfundoi në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës, në drejtimin e skulpturës. Përvoja e saj profesionale shtrihet nga konservimi e restaurimi deri te skenografia, gazetaria dhe projektet kulturore, ndërsa ka qenë e angazhuar edhe në institucione të rëndësishme të kulturës në Kosovë.
Një vend të veçantë në krijimtarinë e saj zë cikli “Rrugëtimi i Hyjneshave”, i frymëzuar nga “Hyjnesha në Fron”, përmes të cilit ajo trajton gruan, forcën, kujtesën, historinë dhe identitetin kulturor.
Veprat e saj janë prezantuar edhe jashtë Kosovës, në Paris, Berlin, Köln, Kroaci, Itali dhe Amerikë, ndërsa në vitin 2014 u vlerësua me çmimin “Skulptorja e Vitit”.
Për Arjeta Miftari Gashin, arti nuk është vetëm krijim. Është një mënyrë për të ruajtur kujtesën, për t’u dhënë zë historive dhe për ta prezantuar Kosovën përmes kulturës dhe artit.
Arjetë, çdo artist e ka një pikënisje, një “shkëndijë” të parë. Cila është aroma, ngjyra apo pamja e fëmijërisë suaj që sot ju duket sikur paralajmëronte se duart tuaja një ditë do të krijonin art?
Që e vogël kam pasur dashuri për vizatimin dhe për të krijuar me duart e mia. Nuk kam qenë fëmijë që gjithmonë kam pasur nevojë për lodra të gatshme. Guri dhe druri më kanë tërhequr shumë. Shpesh shikoja një gur, formën e tij, dhe mendoja se mund të bëja diçka me të. Sot, kur kthehem me mendje në atë kohë, mendoj se ndoshta pikërisht aty ka filluar lidhja ime e parë me artin.
Kur skulptura bëhet “mendim me duar”
Pse pikërisht skulptura? A e zgjodhët ju këtë disiplinë, apo me kalimin e viteve kuptuat se, në një mënyrë, skulptura kishte zgjedhur juve? Çfarë ju ka mësuar ky “mendim me duar” për durimin, forcën dhe veten tuaj?
Skulpturën e zgjodha sepse më pëlqente që një ide ta ktheja në diçka konkrete, në një formë që mund ta shohësh dhe ta prekësh. Gjithmonë më ka pëlqyer puna me materialin, edhe pse nuk është e lehtë. E kam parë skulpturën edhe si një sfidë për veten time. Me kalimin e viteve, shpesh them se në fillim e zgjodha unë skulpturën, por më vonë sikur edhe ajo më zgjodhi mua.
Studimet, deri në master, kanë qenë pjesë e rëndësishme e formimit tuaj. Cili është mësimi më i çmuar i atyre viteve që nuk shkruhet në libra?
Studimet më kanë mësuar shumë, jo vetëm për artin, por edhe për veten time. Më kanë mësuar të kem besim te puna ime, të dëgjoj kritikën dhe të mos ndalem së kërkuari diçka të re. Mendoj se një artist duhet të mbetet gjithmonë në kërkim, sepse në momentin kur mendon se i di të gjitha, ndalon së zhvilluari.
Hyjneshat mes kujtesës, gruas dhe identitetit
“Hyjnesha në Fron” për shumëkënd është një artefakt mijëravjeçar, ndërsa për ju u bë pikënisje krijuese. Çfarë patë tek ajo që të tjerët ndoshta nuk e shohin?
“Hyjnesha në Fron” më ka frymëzuar shumë, sidomos si figurë e gruas, forcës dhe dinjitetit. Për mua ajo nuk është vetëm një vepër e trashëgimisë sonë, por një simbol që vazhdon të flasë edhe sot. Prej saj ka lindur edhe dëshira ime për ta zhvilluar këtë temë në mënyrën time dhe për ta bërë pjesë të natyrshme të krijimtarisë sime.
Në “Rrugëtimin e Hyjneshave” bashkohen lashtësia, gruaja e sotme dhe rrugëtimi juaj personal. Cila prej këtyre shtresave është më intime për ju dhe a ekziston mes Hyjneshave njëra që është më afër një autoportreti tuajin?
“Rrugëtimi i Hyjneshave” është shumë personal për mua. Në secilën prej veprave ndihem sikur kam lënë një pjesë të vetes, diçka nga mendimet, ndjenjat dhe përjetimet e mia. Kur veprat e mia kanë udhëtuar jashtë Kosovës dhe janë vlerësuar, kam kuptuar edhe më shumë se kjo temë nuk është vetëm personale për mua, por mund të komunikojë edhe me njerëz të tjerë. Mbi të gjitha, këto vepra i kam krijuar me shumë dashuri.
Në krijimtarinë tuaj shfaqen kujtesa familjare, shalli dhe historia e Kosovës. Sa prej artit tuaj lind nga historia e madhe dhe sa nga historitë intime që janë ruajtur brenda familjes?
Arti im lind nga ndërthurja e historisë së madhe me historitë intime. Historia e Kosovës është një burim i rëndësishëm frymëzimi, por kujtimet familjare, objektet, simbolika e shallit dhe rrëfimet e brezave janë ato që e bëjnë historinë më njerëzore dhe më të afërt. Përmes artit përpiqem ta ruaj këtë kujtesë.
Materia ka kujtesën dhe karakterin e vet
Kur punoni me dru, gur apo materiale të tjera, a ju ka ndodhur që materia të duket sikur ka “vullnetin” e vet? Kur duhet artisti ta udhëheqë materialin dhe kur duhet ta dëgjojë atë?
Çdo material ka karakterin e vet. Druri, në veçanti, kërkon shumë kujdes dhe durim. Ka pasur raste kur gjatë punës më është shkëputur pa dashje një pjesë e drurit që duhej të qëndronte në vepër. Në ato momente sigurisht që nuk është ndjenjë e mirë, por edhe prej gabimeve mësojmë. Kjo më ka mësuar se në skulpturë nuk mjafton vetëm ideja; duhet edhe shumë përqendrim, durim dhe kujdes, por edhe një lloj ndjeshmërie ndaj vetë materialit.
Puna juaj lidhet fort me identitetin dhe historinë. A është skulptura për ju një mënyrë për ta ndalur kohën që ikën, apo për t’u dhënë zë atyre që historia i ka lënë në heshtje?
Përmes artit dua të flas për histori që ndonjëherë kanë mbetur në heshtje. Më intereson lidhja mes së kaluarës dhe së tashmes dhe mënyra se si mund ta sjellim trashëgiminë tonë te njerëzit e sotëm. Dua që tradita të mos mbetet vetëm diçka që e kujtojmë, por të vazhdojë të jetojë përmes një gjuhe të re artistike.
Skulptura për mua është edhe një mënyrë për ta ruajtur kujtesën. Një vepër mund të qëndrojë shumë më gjatë se ne dhe të tregojë një histori edhe për brezat që vijnë. Prandaj e shoh skulpturën si një urë mes së kaluarës, së tashmes dhe së ardhmes.
Në vitin 2014 u vlerësuat me çmimin “Skulptorja e Vitit”. A ju dha ai vlerësim më shumë siguri, apo edhe presion për të mos përsëritur veten?
Çmimi “Skulptorja e Vitit” në vitin 2014 ka qenë një moment shumë i rëndësishëm për mua. E kam përjetuar si një vlerësim për punën që kisha bërë deri atëherë dhe si një shtysë për të vazhduar. Më dha edhe më shumë motivim për të punuar, për të kërkuar dhe për të besuar te rruga ime artistike.
Hyjneshat tuaja kanë udhëtuar jashtë Kosovës, përballë një publiku që jo gjithmonë e njeh historinë tonë. Çfarë do të donit të kuptonte një i huaj për Kosovën vetëm duke qëndruar përballë një skulpture tuajën, pa asnjë shpjegim?
Përmes veprave të mia dua që njerëzit jashtë Kosovës ta shohin vendin tonë përtej asaj që mund të kenë dëgjuar për të. Dua të shohin një Kosovë me histori, trashëgimi dhe kulturë të pasur, por edhe një Kosovë që krijon, zhvillohet dhe ecën përpara. Arti është një mënyrë e veçantë për ta treguar këtë.
Për disa vite kam qenë e angazhuar në realizimin dhe prezantimin e ekspozitave ndërkombëtare në Paris, Berlin, Köln, Kroaci, Itali dhe Amerikë. Çdo përvojë ka qenë e veçantë për mua. Përveç prezantimit të punës sime si artiste, gjithmonë kam pasur dëshirë që përmes saj të prezantoj edhe Kosovën dhe vlerat tona kulturore.
Ju e keni parë artin edhe si përfaqësim të Kosovës. A mund të bëjë një skulpturë për identitetin e një vendi atë që nganjëherë nuk arrijnë ta bëjnë politika dhe diplomacia dhe a bëhet arti kështu edhe një formë e heshtur lobimi kulturor?
Besoj shumë se arti mund të jetë një formë e diplomacisë kulturore. Një vepër mund të krijojë komunikim edhe mes njerëzve që nuk flasin të njëjtën gjuhë. Kur prezanton artin tënd në një vend tjetër, në njëfarë mënyre prezanton edhe vendin prej nga vjen. Kështu krijohen ura, afri dhe njohje mes kulturave.
Në Paris, arti juaj mori edhe dimension humanitar, kur të ardhurat nga veprat iu dedikuan familjeve në nevojë. A besoni se arti fiton një kuptim tjetër kur prek drejtpërdrejt jetën e njerëzve?
Në Paris, të ardhurat nga veprat e mia iu dedikuan familjeve në nevojë. Për mua ka qenë një përvojë shumë domethënëse, sepse më ka treguar se arti mund të ketë edhe një rol shoqëror. Nuk është vetëm diçka që e shikon në një galeri. Mund të ndihmojë, të solidarizohet dhe të bëhet pjesë e një të mire më të madhe.
Në një prej cikleve më të vona, Hyjneshat morën ngjyrën e kaltër dhe u lidhën me Kosovën dhe Evropën. Po t’i krijonit sot përsëri, a do ta kishin të njëjtën ngjyrë, të njëjtën shpresë dhe të njëjtën bisedë për të ardhmen?
E kaltra për mua ka disa kuptime. E lidh me Kosovën, me qiellin, me Evropën dhe me shpresën. Prandaj është bërë pjesë e identitetit të Hyjneshave të mia. Është një ngjyrë që edhe sot do ta ruaja në këtë cikël, sepse ende e ndiej si pjesë të mesazhit të tij.
Trashëgimia që vazhdon të jetojë përmes brezave
Keni punuar në konservim e restaurim dhe sot jeni e angazhuar me kulturën, komunitetin dhe të rinjtë. Si bashkëjetojnë te ju krijimi, ruajtja e trashëgimisë dhe dëshira për t’ua afruar artin brezave të rinj?
Arti, trashëgimia dhe puna me të rinjtë për mua janë të lidhura natyrshëm. Nëse duam ta ruajmë kulturën, duhet t’ua afrojmë atë brezave të rinj. Nuk mjafton vetëm të flasim për trashëgiminë; duhet t’i përfshijmë të rinjtë, t’u japim mundësi të krijojnë dhe ta ndiejnë se edhe ata janë pjesë e kësaj trashëgimie.
Si e shihni skulpturën publike në qytetet tona? A flasin sheshet e Kosovës gjuhën e duhur artistike dhe, në gjithë këtë angazhim, ku e gjeni qetësinë tuaj të vërtetë larg ateliesë dhe institucioneve?
Mendoj se skulptura publike nuk duhet të jetë vetëm dekorim. Kur vendoset një vepër në një qytet, ajo duhet të ketë një kuptim dhe një lidhje të natyrshme me vendin. Duhet të ketë vlerë artistike, por edhe historike e kulturore. Nëse realizohet mirë, një skulpturë publike mund të bëhet pjesë e kujtesës dhe identitetit të qytetit.
Qetësinë më të madhe e gjej te familja, fëmijët dhe natyra. Janë momentet kur mund të shkëputem pak nga angazhimet e përditshme. Por edhe në ato çaste arti vazhdon të jetë diku në mendimet e mia. Shpesh një ide mund të më vijë krejt papritur, në një moment të zakonshëm. Ndoshta pikërisht atëherë lindin edhe idetë më të mira.
Çfarë ju frikëson më shumë si artiste: përsëritja, harresa apo humbja e nevojës për të krijuar? Cila është ajo vepër që ende e mbani vetëm në mendje dhe, nëse një ditë dikush do të qëndronte përballë saj, çfarë do të donit që ajo t’i tregonte për gruan që e ka krijuar?
Më shumë se harresa apo përsëritja, më frikëson humbja e nevojës për të krijuar. Për sa kohë që ekziston ajo nevojë, artisti vazhdon të kërkojë, të zhvillohet dhe të zbulojë diçka të re edhe brenda vetes. Kam ende shumë vepra që i mbaj në mendje dhe që presin momentin për t’u realizuar. Një prej tyre do të doja të fliste për gruan, forcën, kujtesën dhe rrugëtimin e saj. Do të doja që, kur dikush të qëndronte përballë saj, të mos shihte vetëm një skulpturë, por të ndiente historinë dhe shpirtin e gruas që e ka krijuar. /Telegrafi/