Asamblisti i PDK-së në Kuvendin Komunal të Fushë Kosovës, Valon Murseli, i është drejtuar Ministrisë së Infrastrukturës me kërkesë për trajtim urgjent të segmentit rrugor Fushë Kosovë–Prishtinë dhe rrugës “Doruntina”, përgjatë hekurudhës.
Murseli ka bërë të ditur se për këtë çështje i është drejtuar me shkresë ministrit të Infrastrukturës, Dimal Basha, dhe sekretares së kësaj ministrie, Anita Alaj-Kalanderi.
Sipas tij, shqetësimi lidhet me ngarkesën e madhe të komunikacionit në segmentin nga rrethrrotullimi në hyrje të Fushë Kosovës deri te semaforët te pompa “Kastrati/Gjambo”, si dhe në rrugën “Doruntina” përgjatë hekurudhës.
“Këtë çështje e kam trajtuar në disa seanca, por më konkretisht në seancën e IV-të më 28.04.2026, ku mora premtim publik nga Kryetari Valon Prebreza se kjo rrugë do të trajtohet shumë shpejt nga Ministria dhe BE-ja. Kanë kaluar 5 muaj dhe asnjë veprim”, ka shkruar Murseli.
Ai ka kërkuar ndërmarrjen e disa masave konkrete për lehtësimin e qarkullimit dhe rritjen e sigurisë së qytetarëve.
Ndër kërkesat e tij është testimi në minuta i semaforëve te “Kastrati-Gjambo”, me qëllim të lehtësimit të qarkullimit deri në fillimin e projektit.
Murseli ka kërkuar gjithashtu fillimin e punimeve në rrugën “Doruntina” përgjatë hekurudhës, duke pretenduar se banorëve të lagjes Dardania u shkaktohen pritje deri në 30 minuta në trafik.
“Kjo rrugë liron segmentin kryesor”, ka shkruar ai.
Ai ka kërkuar edhe krijimin e hyrje-daljeve të reja, duke theksuar se numri i banorëve dhe automjeteve në këtë zonë është rritur ndjeshëm.
Në fund, Murseli ka vënë theksin te siguria e qytetarëve, të cilën e ka cilësuar si prioritet.
“Besoj se do ti bëni prioritet këto dy rrugë dhe të marrin zgjidhje sa më shpejt”, ka shkruar ai, duke shtuar se do t’ua rikujtojë këtë çështje institucioneve çdo javë, e nëse është e nevojshme edhe çdo ditë, deri në gjetjen e një zgjidhjeje. /Telegrafi/